Shënime për përmbledhjen me proza të shkurtra “Perla” të Ardian –Christian Kyçyku)

Ç’kuptim do të kishim vetëm dhe pa fjalën? Ardian –Christian Kyçyku vjen përmes prozave poetike, duke ndërtuar botën mes ëndrrës dhe tjetrit. “Ai”, “Ajo” dhe “Poeti”, vijnë dhe plotësojnë një trekëndësh me pyetjet e duhura dhe japin tablonë e asaj për të cilën kemi nevojë të bëjmë rrugëtimin e gjatë: Dashuri për tjetrin dhe fjalën, që na mundëson ne të ecim në rrugëtimin që na takon me vetveten!

Janë një akuarel fjalësh, të hedhur si një frymëmarrje njeriu pas një vrapimi, me gjuhë poezie, por që i rrëmben proza për shkak të ndërfutjes së historive dhe dialogut. Përmbledhja me 21 proza të shkurtra nis me “Shkrim & këndim”, duke sjellë nevojën për të plotësuar bashkë me fjalët edhe njeriun me tjetrin përballë, duke parë me sytë nga dashuria.

“Na t’birt e metaforës” hedh sytë drejt asaj që nuk kemi mundur të shohim, edhe pse e kemi patur afër. Dhe shpresa mbeten ata që mundet ende të lexojnë me zë të lartë atë që ndodh rreth nesh. Duke na ftuar më pas të kërkojmë se brenda cilës guackë të strehojmë shpirtin tonë, për të parë vetveten në pasyrën e ndjesive që i japin kuptim hapave tanë.

“Dy poetët u përhinë në rrugën kryesore të qytetit. Si zakonisht, kjo ishte rruga që lidhte maternitetin me varrezat. Qytetarët i njihnin nga gazetat. Ishin të famshëm aq sa për të mbetur gjallë. Pak vetë e dinin si e mbanin frymën gjallë. Rropateshin nga mëngjesi në mbrëmje, duke shkruar për shkatërrimin e ngadaltë të vendit. Mbyllje fabrikash, shitje të hatashme trojesh, ujërash, shpirtrash, vajzash të njoma, vetëm për të fituar bukën e gojës. Ndoshta e mbanin frymën me hidhërimin e shpirtrave të zgjedhur që s’bëjnë dot asgjë për të ndalur rrokullimën”. (Ardian –Christian Kyçyku, fragment nga tregimi “Na t’birt e metaforës”, pjesë e përmbledhjes me proza “Perla”, DIJA Poradeci 2012, , f. 13).

Proza e Kyçykut është një dashuri për veten dhe botën që fle në shtratin e ironisë. Janë proza që hap pas hapi ngrenë pyetje të njëpasnjëshme: Çfarë është “ar” dhe kur mund të vdesë realisht dikush te ne? E përgjigjet vijnë përmes poetit, të cilit Kyçyku i ngarkon rëndësinë e mesazhit, të komunikimit njerëzor. E shkuara jonë, nëna dhe ne, largimi nga vendlindja, e sidomos dashuria në çdo kohë, vijnë e plotësohen deri në tregimin e fundit me titullin “Ti”, duke na lënë të meditojmë rreth asaj që kemi besuar për gjithçka rreth nesh, deri sa të ngrejmë gishtin drejt dikujt, e për t’i thënë “Ti”, për atë që është, që mundet të jetë, që mundet të bëjë, apo që ne vetë kemi dashur të bëjmë e që s’mundëm dot.

“Ne që s’patën kohë të vetëvritemi, hapëm derën si të verbër dhe hymë në shtëpi dhe deshëm të ndiznim dritat, por u puthëm dhe harruam t’i ndiznim. Ne u puthëm dhe harruam të kyçnim derën, por u puthëm dhe harruam ta kyçnim. Ne u puthëm dhe hymë në një si dhomë dhe deshëm të mbështeteshim diku, s’kish rëndësi ku, por u puthëm dhe nuk u mbështetëm askund…. ”. (Ardian –Christian Kyçyku, fragment nga tregimi “Dëshmi”, pjesë e përmbledhjes me proza “Perla”, f. 165).

Eshtë një stil që ngacmon imagjinatën dhe që të krijon dëshirën për të riparë gjithçka rreth vetes e për të gjetur atë që ka qenë pranë teje por që ti nuk ke mundur t’i japësh vlerën e duhur, që t’i falësh dashurinë e duhur dhe t’i kërkosh që të të ndjekë në rrugën që mund ta bëjë. Eshtë aty njeriu që sheh larg e s’mundet, është i ndëshkuari i fatit, është nëna me fuqinë e përjetshme për të ftuar të kuptosh hapat e tu. Kyçyku nuk i fsheh as nuancat e jetës së tij, në udhëtim të përhershëm, mes vendlindjes dhe qytetit ku hedh çdo ditë hapat. Janë tik-take të njeriut që kërkon të udhëtojë përmes dashurisë….

Loading...