Një delegacion i Lidhjes së Krijuesve dhe artistëve në Mërgatë, i udhëhequr nga nënkryetari Hysein Ibrahimi, qëndroi për vizitë në Tetovë ku u prit nga kryetarja, zonja Tetuta Arifi. Temë boshte e kësaj vizite ishte organizimi i një aktiviteti kulturor në Tetovë për krijuesit dhe artistët në mërgatë në kuadër të agjendës kulturore që si aktivitete programore i realizon Komuna e Tetovës. Zonja Arifi prezantoi aktivitetet e realizuara në qytet dhe gatishmërinë për të mbështetur edhe aktivitetet kulturore të krijuesve e artistëve që veprojnë në mërgatë. Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Suedi “Papa Klementi XI Albani”, Hysein Ibrahimi, theksoi rolin dhe punën e shqiptarëve në Suedi ndër vite, duke vlerësuar kontributin e dhënë në historinë më të re shqiptare. Ai dorëzoi edhe botimet e kësaj Shoqate, libra që ngërthejnë punën e mërgatës parë nga pena e poetëve dhe shkrimtarëve mërgimtarë për vite me radhë, aty janë përfshirë edhe shkrimtarë dhe poet nga mbarë mërgata shqiptare në Evropë dhe nga vendlindja ku të gjithë janë bashkë, në shërbim të Atdheut dhe kauzës kombëtare. “Thesari Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, është një thesar i artë, përveç sasisë së përmbajtjes, ai ka shumë materiale të vlefshme nga lëmi të ndryshme të krijimtarisë. Është një dokument faktografik, përshkrues, analitik e gjeopolitik dhe përmbledh në vete shkrime të shumta socio-shkencore, publicistike, letrare. Njëherit edhe rektori i Universitetit shtetëror të Tetovës, Z.Vullnet Ameti në zyrat e rektoratit priti mysafirët ku edhe u shkëmbyen informacione për mundësitë e pjesëmarrjes në sesionet shkencore që i organizon kjo Shoqatë dhe për bashkëpunim ndëruniversitar me Universitetet në Suedi. Edhe sekretari i UEJL-së, z.Xhevahir Memeti, priti në zyrat e tij këtë delegacion ku u shkëmbyen format dhe mundësitë e bashkëpunimit shkencor, kulturor e institucional. Titujt e botuar të “Thesarit Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi” u dorëzuan edhe në bibliotekat e këtyre universiteteve dhe në Bibliotekën e qytetit në Tetovë. Sadije Aliti në cilësinë e organizatores së këtij takimi theksoi se ishte një nder i veçantë që Tetova universitare të jetë e përfshirë në agjendën e organizimeve të mërgatës shqiptare, pasi edhe shumë shqiptarë që veprojnë në këto vende japin një kontribut të çmueshëm për çështjën shqiptare. Tetova do të jetë nikoqire e këtyre aktiviteteve kulturore nën patronatin e Kryetares së Tetovës në bashkëpunim edhe me stafet universitare.

Loading...