500 përdorues të drogës, 221 punëtore seksuale dhe 29 të prekur nga virusi HIV, janë shifrat për qytetin e Tetovës dhe rrethinës, nga viti 2014 deri më tani. Të dhënat e prezantuara në një tribunë në UT, kushtuar përdorimit të drogës, besohet se janë edhe më të larta.

Faktorët i dini vet, s’dua ti përmendi, e shihni sa herë policia hap dhe mbyll bare nate. Për personat që injektojnë drogë, deri më tani janë zbuluar 484 persona, por ky numër edhe për njërën edhe programin tjetër është dhjetë herë më i madh – tha Borisllav Pavllovski, OJQ.

Shkak për rritjen enorme të shifrave, sipas dekanit të fakultetit të mjekësisë, Kastriot Haxhirexha, është pikërisht mos angazhimi sa duhet i institucioneve për këto problematika. Ndërsa dekani i fakultetit Juridik thotë se kjo ndodh edhe shkaku i sigurisë së dobët të kufijve, nga ku edhe futen sasitë më të mëdha të drogës.

Kjo është e meta jonë. Qoftë ne si institucione përfshi këtu edhe fakultetin e mjekësisë unë e pranoj se shumë pak jemi të angazhuar rreth kësaj problematike – u shpreh Kastriot Haxhirexha, dekan i fakultetit të mjekësisë në UT.

Marijuana më së shumti na vjen nga Republika e Shqipërisë, ndërsa heroina vjen nga Afganistani dhe vendet tjera të lindjes së mesme që trafikohen, apo transportohen deri në vendin tonë – u shpreh Qebir Havziu, dekan i Fakultetit Juridik.

Në nivel shtetëror zyrtarisht ka rreth 8 mijë përdorues të drogës, ndërsa sipas ekspertëve shifrat mund të arrijnë deri në 20 mijë edhe atë duke filluar nga mosha 12 vjeçare.

 

Loading...