Ëndrra e frikshme e qytetarëve të Kosovës se Faza Finale e dialogut me Serbinë mund të përfundoj me një marrëveshje që ju jep autonomi politike serbëve të Kosovës, tashmë është tejkaluar për t’u zëvendësuar me një opsion thellësisht më dramatik dhe më të rrezikshëm.Kryenegociatori i Kosovës me Serbinë, presidenti Hashim Thaçi tashmë ka nisur një aventurë të re shumë më të rrezikshme dhe fundin e të cilës, nuk e di as vet se si do të jetë. Bisedat me Serbinë do të orientohen drejt ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve.Gazeta Blic ka mësuar nga burime të afërta me Presidentin dhe liderët tjerë të partive në pushtet, se tashmë një synim i tillë, ku pala kosovare po hyn edhe pa plan edhe pa ide, është dakorduar të jetë mënyra se si do të zhvillohet ajo që presidenti e quan Faza Finale e dialogut me Serbinë.

Liderët politikë qeverisës, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj si dhe Behgjet Pacolli, duket se tashmë i kanë dhënë dritën e gjelbërt dhe përkrahjen e plotë, Presidentit të vendit, për të hyrë në negociata me Serbinë, të cilat do të mund të përfundonin me një marrëveshje e cila ndryshon hartën e Kosovës dhe cenon integritetin territorial të saj në favor të një zgjidhjeje, të cilën ende nuk e din se cila mund të jetë, që nënkupton shkëmbim potencial territoresh.Se një aventurë e tillë është duke u zhvilluar dhe se liderët kosovarë të prirë nga Presidenti, kanë vendosur të hyjnë qorrazi, është paralajmëruar nga vet Thaçi në një konferencë për shtyp ditëve të kaluara.“Nuk do të ketë vija të kuqe gjatë dialogut”, ka thënë në konferencë, Presidenti i Kosovës.
Humbja e vijave të kuqe nga politika kosovare kryesisht në opozitë, është menduar të jetë një status special për Serbët në Kosovë, por kjo tashmë është tejkaluar.Ndonëse në fillimit të vitit është përmendur si opsion shkëmbimi i territoreve, disa muaj më vonë, një gjë e tillë ishte hedhur poshtë nga të gjitha burimet, duke u thirrur në refuzimin e Bashkësisë Ndërkombëtare, në veçanti Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Ky refuzim nëse ka qenë ekzistent ndonjëherë tashmë, duket të jetë venitur.
Burime të afërta me Presidentin e Kosovës thonë në veçanti se administrata e Donald Trump, ka sugjeruar se do të pranonte cilëndo marrëveshje paqësore që arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.“Edhe në bisedat e fundit Presidenti i ka pyetur disa herë nëse ka ndonjë vijë të kuqe nga Amerikanët, dhe përgjigja e marrë ka qenë jo”, ka shpjeguar burimi shumë i afërt me Thaçin, por edhe me liderët e tjerë që qeverisin sot me Kosovën.Sipas këtij, burimi e tërë çështja, pra aventura e re tashmë është diskutuar në mes të partenrëve qeverisës dhe se të gjithë janë të një mendimi se në të duhet të hyhet.“Ky është një ndryshim i madh. Ndryshim i gjithë asaj që është punuar e menduar deri më tani. Nuk e din asnjëri nga liderët se si do del në fund, por e dinë se duan të hyjnë. Duhet dhënë fund telasheve me Serbinë”, tha burimi i Gazeta Blic.Ideja e ndarjes së Kosovës nuk është e re- ajo është shumë e vjetër, por është ide serbe. Së fundmi, atë e ka aktualizuar Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq. Ai e patë gjetur shqiptarin e parë me të cilin do të fliste për këtë temë, tek kryeavanturieri politik shqiptar, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.Sipas burimeve të afërta me Edi Ramën, Vuqiç e kishte përmendur këtë ide tek Rama para më shumë se një viti, por ajo e kishte frikësuar këtë të fundit i cili nuk dinte se cili do të ishte reagimi i Bashkësisë Ndërkombëtare nga rivizatimi i hartave në Ballkan.

Në ndërkohë, gjërat rreth kancelarive më të mëdha botërore kanë ndryshuar shumë si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën. Në fakt ato kanë shkuar në të mirë të Serbisë e në dëm të Kosovës.Duke nisur nga Washingtoni. Atje Lobi Shqiptarë është shthurrur dhe është inekzistent. Për Kosovën lobojnë vetëm disa kompani të kontraktuara nga Qeveria, ndërsa dyshimet janë se lobimi i tyre nuk ka shkuar në favor të Kosovës, por janë shfrytëzuar për pozicione të brendshme politike dhe fitim të zgjedhjeve. Gjatë tërë kësaj kohe Lobi Serb, i cili ishte i mundur gjatë viteve të 90-ta, është rimëkëmbur dhe forcuar viteve të fundit, edhe me ndihmën e lobit rus dhe të disa vendeve fqinje që janë në linjën e njëjtë.Në BE gjërat janë pakëz më ndryshe, ajo do të ndihet më e frikësuar nga skenari i ndryshimit të kufijve, e në veçanti Gjermania, e cila bashkë me Francën mbanë penjtë e udhëheqjes së Bashkimit Evropian. Por ajo do të ishte e pafuqishme ndaj një marrëveshje të rrezikshme të cilën do të pranonin Rusa dhe SHBA.Si rrjedhojë duket se të gjitha kushtet janë plotësuar, që Thaçi me Komandantët e tjerë rreth vetës të nisë aventurën e re. Në këtë aventurë që ka nisur atë mund ta ndal vetëm një gjë: bashkimi i opozitës dhe shoqërisë civile. Por pjesa më e madhe e tyre, fatkeqësisht, do të bashkohen me Thaçin.
Grepi që do të dizajnohet ndaj tyre është i thjeshtë: ndarja e Kosovës me Serbinë mundëson bashkimin e Kosovës me Shqipërinë!

Loading...