Gjykata Speciale është tema më aktuale, për të cilën u tentua të shfuqizohet ligji për të, i miratuar në Kuvend në vitin 2015.

E presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se ndërkombëtarët e kanë detyruar që të themelohet Gjykata Speciale përmes Kuvendit të Kosovës, derisa thotë se për këtë gjykatë ai mban ende mendimin e njëjtë sikurse në vitin 2015.

Presidenti Thaçi, që për të mandatuar Specialen në Kuvendin e Kosovës kishte bërë të pamundurën, tani është bërë kundërshtari kryesor i saj. Përveç detyrimit, presidenti thotë se ndërkombëtarët ishin zotuar se me aprovimin e kësaj gjykate, Kosova do të përfitonte themelimin e Ushtrisë, liberalizimin e vizave, anëtarësimin në UNESCO, INTERPOL dhe në Këshillin e Evropës.

Por thotë se asgjë prej këtyre gjërave nuk ndodhi.

“Realisht atë që e kam menduar në vitin 2015, e mendoj edhe sot. Gjykata Speciale është një padrejtësi historike ndaj Kosovës, edhe ndaj UÇK-së. Ndërkombëtarët na kanë detyruar, me kërcënimin se do të marrin masa tjera drastike në raport me vendin. Dua ta potencoj diçka: nuk ka gjykatë që e lëndon luftën time për Kosovën. Ka qenë detyrimi ndërkombëtar, dhe e dyta zotimi i ndërkombëtarëve se Kosova lëviz drejt ushtrisë, drejt liberalizimit të vizave, anëtarësimi në UNESCO, INTERPOL dhe anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Asnjëri zotim i ndërkombëtarëve nuk ndodhi, edhe pse Gjykata Speciale u aprovua”, tha Thaçi.

Lidhur me këtë deklaratë të presidentit, analisti politik Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk beson që ndërkombëtarët kanë bërë premtime të tilla në këmbim të speciales, derisa thotë se Thaçi mund tu ketë vënë kusht atyre.

Image
Faik Krasniqi
FOTO GALERI
“Nuk besoj që ndërkombëtarët i kanë premtuar liberalizim të vizave, anëtarësim në Këshillin e Evropës, në UNESCO, Interpol dhe krijimin e ushtrisë, në këmbim të votimit të Gjykatës Speciale. Edhe sikur t’i kishin bërë premtime të tilla, Presidenti Thaçi para se ta dërgonte në Kuvend ligjin për Gjykatën Speciale, për hir të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës është dashur t’u thotë ndërkombëtarëve që fillimisht të realizohen ato premtime dhe menjëherë do e dërgojë në Kuvend për votim. Ka mundësi që është edhe e kundërta. Ndoshta ka kërkuar nga ndërkombëtarët që në këmbim të themelimit të Gjykatës Speciale, ai mos të jetë një nga të akuzuarit e kësaj Gjykate”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, presidenti ishte më i zëshmi për themelimin e Speciales, ndërsa tani duket se e ka kuptuar që do të jetë i akuzuar dhe po kërkon shfuqizimin e saj.

“Por këto të gjitha janë përralla të tij, në mënyrë që të arsyetohet para qytetarëve se kjo ishte arsyeja e votimit të Gjykatës Speciale. Dhe mos të harrojmë që Presidenti Thaçi ishte më i zëshmi për votimin e kësaj Gjykate, madje kërcënonte deputetët për ta votuar. Shumë deputetë të partisë së tij herën e parë votuan kundër dhe brenda pak orësh nga presioni dhe kërcënimet ndryshuan mendje dhe votuan pro themelimit të Gjykatës Speciale. Ka mundësi që ka marrë sinjale se edhe ai do të jetë një nga të akuzuarit nga Specialja, dhe kjo është arsyeja që tash ka dalë pro shfuqizimit të kësaj Gjykate, përndryshe ai do s’do të dilte kurrë kundër fjalës së ndërkombëtarëve”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Loading...