“Thjesht pasagjer”, Ozil “masakrohet” nga mediat dhe Xhaka i bën shoqëri

Miqësoret e verës ishin qartësisht sfida pa vlerë dhe të luajtura me impenjim minimal e shumë rezerva, ndaj edhe fitoret e Arsenal-it nuk duheshin marrë shumë seriozisht. Problemet e “Topçinjve” kanë dalë në pah me fillimin e kampionatit, sepse humbja kundër Manchester City-t në debutim është pasuar nga disfata në derbin kundër Chelsea-t.

Pedro e Morata shënuan në 20 minutat e para, duke evidentuar problemet mbrojtëse të skuadrës së drejtuar nga Unai Emery, që nuk arriti të merrte pikë, edhe pse reagoi me 2 gola nga Mkhitaryan e Iwobi në fundin e pjesës së parë.

Në mediat britanike në shënjestër kanë përfunduar dy futbollistë: Mesut Ozil dhe Granit Xhaka.

Mesfushori gjerman, ashtu si në ndeshjen ndaj City-t, është kritikuar ashpër, aq sa Daily Mail i ka vendosur notën 4.5, nga 10 që është më e larta dhe e ka quajtur “sërish thjesht pasagjer”. Notë identik edhe për Xhakën, me dy futbollistët që u konsideruan më të dobëtit në fushë.

Xhaka bëri disa gabime fatale dhe u zëvendësua që në pushim, ndërsa Ozil në minutën e 68-të, vendime të drejta nga Emery, sipas gazetarëve anglezë. Edhe Shkodran Mustafi nuk shkëlqeu, duke u shfaqur i pasigurt në prapavijën e Arsenalit.

Loading...