Tifozët e Arsenalit tërbohen me Xhakën: Shiteni urgjentisht!

Granit Xhaka ndjeu zemërimin e tifozëve të Arsenalit pas ndeshjes së tij të dobët kundër Mançester Sitit, deri në pikën sa shumë prej tyre kërkojnë kokën e tij. Mesfushori i kombëtares zvicerane bëri një Botëror fantastik me helvetët përpara se të vendosej nën urdhrat e trajnerit të ri Unai Emeri këtë sezon.

Xhaka e nisi titullar përkrah Mateo Guenduzit superndeshjen e javës së parë kundër Mançester Sitit të dielën, por nuk arriti të bindë në ndeshjen e parë të “topçinjve” në “Emirates”. Shumë topa lehtësisht të humbur në mënyrë të përsëritur dhe e ekspozoi veten ndaj presingut të kundërshtarit në qendër të mesfushës.

E sulmon “Mirror” – Shefi i futbollit në “Mirror”, Xhon Kros, i cili i vendosi notën 4/ 10 tha: “E dhuroi topin shumë lehtë në mesfushë dhe ishte i ngadaltë. A duhet ta nxjerrë Emeri zbuluar lojtarin atje?” 25-vjeçari luajti rregullisht sezonin e shkuar për Arsen Vengerin, pavarësisht formës në luhatje dhe kishte shpresë se ai do të ishte më i qëndrueshëm këtë sezon për Emerinë. Por pas paraqitjes kundër kampionëve të Anglisë, tifozëve iu përforcua ideja se ai nuk është një futbollist i denjë për klubin e tyre dhe shpresojnë që Arsenali ta largojë sa më shpejt. Merkatoja hyrëse në Angli u mbyll në datë 9 gusht, një ditë përpara se të startonte zyrtarisht sezoni i ri i Premier Ligës. Por kjo nuk do të thotë se klubet nuk mund të shesin. Në Itali, Francë, Gjermani dhe Spanjë merkatoja është ende e hapur dhe ato mund të blejnë prej klubeve angleze. Megjithatë, klubet ishullore zor se do të pranojnë të humbasin pjesë të rëndësishme tyre, duke e ditur se do ta kenë të pamundur për t’i zëvendësuar.

 

Tifozët – “Xhaka nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë i denjë për Arsenalin”, shkruante një prej tifozëve në “Twitter”. Ndërsa një tjetër tregohej edhe më i ashpër: “Xhaka është me të vërtetë mesfushori më i dobët që kam parë tek Arsenali në 25 vitet e fundit. I ngadaltë, i pavendosur, taktikisht i pasaktë, nxit në mënyrë konstante presion ndaj skuadrës dhe shkëlqen në asgjë në kuptimin e plot të fjalës”. Një i tretë shkruante: “Xhaka është i mbaruar. Ai duhet të largohet. Unë do t’ia jepja atij edhe një sezon në skuadër, por jo, ai i ka larë duart përfundimisht”. Një tjetër nuk do që ta shohë më në formacionin e teknikut spanjoll: “Xhaka është i mbaruar. Guenduzi dhe Torreira duhet të jenë dyshja e mesfushës defensive”.

Loading...