Me grupin “Tyzze” dhe Kida&Mozzik sonte në orën 21 në sheshin “Filipi i II” do të fillojë manifestimi i këtij viti “Tingujt e Çarshisë” dhe “Të gjithë së bashku”, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Manifestimi organizohet nga Qendra Informative Kulturore – Shkup, dhe koncepti i projektit filloi me idenë për ringjalljen e Çarshisë, pjesën më te vjetër dhe më te bukur të qytetit tonë e cila pa hezitim na i hapi portat e artit dhe kreativitetit.

Drejtoresha e QIK, Sermine Purrini theksoi se ky është viti i 10-të organizimit te manifestimit në fjalë.

“Për këto nëntë vite kanë defiluar në skenën e manifestimit “Tingujt e Çarshisë”, shumë këngëtarë të njohur, piktorë, balerinë, animatorë, grupe të njohura, maqedonase, shqiptare, turke, rome pasi që edhe si manifestim është i ideuar që të jetë multikulturor. Si institucion i japim shans të gjithëve, që kishim brenda këtyre viteve edhe debutusë të cilët me Tinguj filluan karrierën”, thotë Purrini.

Nesër, aktivitetet fillojnë në orën 12:00 me një grup të rinjsh me instrumente klasike, popullore, koloni arti, dokumentarë, prezantim i shoqërive kulturore artistike dhe mbrëmje letrare deri në orën 20:00.

“Ashtu si tradicionalisht, do të ketë program të larmishëm në të gjitha rrugët e Çarshisë së Vjetër, ndërsa në orën 21:00-24:00 në sheshin Filipi II do të mbahet koncerti i ‘Full Stop’, MC Kresha&Lyrical sSn, Dhurata Dora dhe këngëtarë të tjerë”, theksoi Purrini.

Organizator është Qyteti i Shkupit, i cili për realizimin e “Tingujt e Çarshisë” ndau 900.000 denarë ndërsa për “Të gjithë së bashku” 400.000 denarë.

Loading...