Studentët në Shqipëri nuk tërhiqen nga protesta e tyre pavarësisht shfuqizimit të vendimit për taksën e provimeve të mbartura. Me thirrjet “arsim publik falas”, “ne nuk dorëzohemi”, “ne nuk jemi bankomat” studentët protestuan para godinës së Ministrisë së Arsimit pavarësisht lajmit të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla se është shfuqizuar pika 4 për pagesë ekstra për provimet e mbartura.

Faleminderit studentëve që shërbyen si nxitës për të rritur komunikimin. Qeveria do të heqë dorë nga tarifimi i provimeve të bartura. Që sot qeveria do të shfuqizojë vendimin që lidhet me tarifat, nuk do të ketë kosto shtesë për studentët mbetës. Do hiqet neni 4 i VKM-së dhe nuk do ketë tarifë për provimet e studentëve mbetës- deklaroi Lindita Nikolla, ministre e Arsimit

Përveç Tiranës, studentët protestuan edhe në Universitetet e Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës.

Studentët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Në njoftimin e presidencës thuhet se kreu i shtetit po ndjek me vëmendje protestat e studentëve në disa qytete dhe u bën thirrje autoriteteve të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë e duhur për të zgjidhur sa më shpejt çështjet që shqetësojnë studentët, sipas ligjit dhe frymës së dialogut.

Loading...