BehxhetJashari

Behxhet Jashari

behxhetjashari@hotmail.com

Në historinë 640 vjeçare të saj, Perandoria Osmane ishte vigani më i madh ndër perandoritë tjera botërore. Ai kolos gjigantes ushtarak, ekonomik, multikulturor, i krahasuar vetëm me vetveten, në shekullin XVI shtrihej në tre kontinente të botës: Evropë, Azi dhe Afrikë. Kufijtë evropjan të Perandorisë Osmane zgjateshin deri në Venedik, Vjenë dhe Poloni, në Lindje përfshinte Detin Arabik dhe Detin e Kuq, kurse në Afrikë kufijtë shtriheshin deri në thellësirat e shkretëtirës së Nubijt.

Perandoria Osmane ishte një dukuri e rëndësishme mesjetare, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Ajo ishte një Babiloni më e madhe e feve, traditave, kulturave, racave, popujve dhe gjuhëve. Gjatë sundimit më shumë se gjashtë shekuj të kësaj perandorie, nuk u zhdukën, asimiluan, e as nuk u dëbuan popujt siç ishin: Arabët, Persianët, Berberët, Shqiptarët, Boshnjakët, Gruzijët, Rumunët, Hungarezët, Bullgarët, Grekët, Serbët, Malazezët, Kroatët dhe shumë të tjerë. Edhe pse gjatë administrimit Osman askush nuk rrahu gjoks për demokraci, me shtet juridik, e as me deklarata të ndryshme për të drejtat dhe liritë e njeriut, në mënyrë të denjë u mbrojtën dhe u respektuan objektet fetare dhe historike të të gjitha popujve, kurse mënyra e jetës, pasuria dhe dinjiteti vetvetiu kishin kuptim.

Gjatë administrimit të Perandorisë Osmane (1299-1922) nuk ekzistonin organizata të ndryshme botërore të llojit të OKB-së, OBSE, UE, NATO, UNESCO, UNICEF, Komesariatit për Refugjatë, Helsinki Watch, Amnesty International, Gjyq Ndërkombëtarë për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Hagë, e as Agjenci me Ndikim të Madh Informativ, rrjet televiziv, radio stacione, shtyp…etj. Perandoria Osmane kishte fuqi më të madhe ushtarake, ekonomike dhe politike se shtetet e sotshme. Shtrohet pyetja: Cila ishte ajo thelbësorja që serbët, malazezët, bullgarët, rumunët, hungarezët, grekët, ukrainasit, kroatët, boshnjakët, shqiptarët dhe shumë popuj tjerë që jetuan në brendinë e këtij shteti, kultivuan dhe mbrojtën fenë, gjuhën, dhe traditat e tyre, duke mos u shfarosë e asimiluar edhe atë pa marrë parasysh se këta popuj kishin tradita, zakone dhe gjuhë krejtësisht tjetër me turqit!?

Cila ishte ajo fuqi që për një periudhë më shumë se gjashtë shekujsh, mbrojti një mozaik të tërë etnik, linguistik dhe konfesional, kur dihet se, p.sh. kriminelët e çoroditur delikuent serbo-malazes, vetëm në vitin 1992 në Bosnje, (për më pak se një vit), shkatërruan qytete të tëra, dëbuan popuj e popuj, rrënuan objekte të ndryshme fetare e kulturore?

Gjatë administrimit Osman, Serbët dhe Malazezët nuk ishin të mbrojtur e të shpëtuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, OBSE-ja, UE-ja, e as nga shtëpitë informative botërore, masmediumet etj. Ata ishin të mbrojtur nga një fjalë e vetme, nga rrezja udhëheqëse themelore humaniste, nga siguria kyçe hyjnore – ata ishin të mbikëqyrur nga ISLAMI.

Në ato kohë Feja Islame ishte ajo që udhëhiqte me botën. Ajo kishte fuqi. Ishte më e fuqishme se të gjitha mbretëritë tjera. Më e fuqishme se të gjitha ushtritë dhe organizatat tjera shtetërore, politike dhe humanitare. Islami ishte ai që gjatë një periudhe gjashtë shekullore mbrojti popujt jo-turk nga asimilimi turko-osman. Nuk mund të kalojmë pa e përkujtuar datën 31 gusht të vitit 1492, kur me rastin e dëbimit dhe persekutimit të myslimanëve dhe çifutëve nga Spanja, Sulltan Selimi i revoltuar kërkoi që të gjithë jomyslimanët të dëbohen nga Perandoria Osmane, po në atë masë sa myslimanë janë dëbuar nga Andaluzia (Spanja)! Por, në këtë revoltë të Sulltanit, në mbrojtje të jomyslimanëve reaguan autoritetet islame në krye me Shejhul Islamin, të cilët në emër të Islamit dhe argumenteve Islame iu kundërshtuan kërkesave të Sulltanit, sepse të gjithë popujt që ekzistonin nën ombrellën e kësaj Perandorie, me këtë edhe jomyslimanët, gëzonin lirinë dhe mbrojtjen e plotë nga ana e pushtetit Osman. Ata nuk mund të dënohen e as që ishin fajtorë për krimet dhe terrorin krishter në Spanjë. Tekefundit, Feja Islame i pranon të gjithë njerëzit si krijesa të Zotit, pra edhe të krishterët.

Përderisa atëherë Shejhul islami me argumente i shpëtoi të krishterët nga hakmarrja në brendinë e Perandorisë Osmane, me këtë edhe ortodoksinë tek Serbët, në viset tona, në prag të shekullit XXI, peshkopi i Baçkës Irinej Buloviq, për çetnikët-kriminelët e vërtetë të luftës, pohon se janë një lëvizje çlirimtare. Që paradoksi i satrapëve të vrazhdë nacikomunistë të bëhet edhe më i plotë, Karaxhiqi, Ekmeçiqi si dhe të gjithë inicijatorët dhe promotorët e krimeve të paimagjinuara në këto vise evropjane, e frikësonin Evropën me Islamin. Këta të mjerë aspak nuk mendojnë se në të vërtetë Islami ishte ai që i mbrojti ata të mbeten në “fenë e tyre stërgjyshore”. Ç’do të bëhej po qe se turqit të ishin paganë, zoroastrianë ose katolikë?

Dukuritë më bashkohore në historinë e Evropës, nga të cilat kisha asnjëherë nuk mori mësime adekuate janë; kryqëzatat, inkuizicioni, dy luftërat Botërore, fashizmi nazist dhe stalinizmi bolshevik. Si rezultat i kryqëzatave, inkuizicionit, nazizmit, stalinizmit dhe i dy luftrave Botërore, jetën humbën më se njëqind milionë njerëz. Epidemitë e këtilla dhe ky errësim kolektiv i trurit që i orienton njerëzit në krime kolektive (kryqëzatat, inkuizicioni, nazizmi, fashizmi), u paraqitën në Evropë – në brendinë e kompleksit kulturo-historik të saj, në brendinë e kishës Romano-katolike, por edhe në brendinë e Rusisë ortodokse, siç ishte stalinizmi bolshevik…

Loading...