TomDoshiPavarësisht lakimit të emrave të tyre, sipas njohësve të fushës së drejtësisë, Gjykata Speciale nuk mund t’i prekë ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj.
Avokati Tom Gashi, në një prononcim për Telegrafin ka sqaruar se statuti i Gjykatës Speciale nuk lejon që Ramush Haradinaj të mund të akuzohet edhe një herë, për atë që është liruar nga Gjykata e nivelit më të lartë botëror për raste të krimeve të luftës – nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë.

Sipas tij, e njëjta gjë sikurse për Haradinajn, vlen edhe për liderin e “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj.

“Unë mendoj se nuk është punë e gazetarëve që të publikojnë emra të të akuzuarve potencialë, sepse ata nuk mund t’i dinë këta emra, dhe kjo bëhet siç është bërë zakon për spektakle mediale për dy qëllime. Qëllimi i parë është që gazetari të bëhet i famshëm, i njohur nëse nuk është, ndërsa nëse është i famshëm dhe i njohur ta ruaj reputacionin e tij, duke u deklaruar para se Prokuroria Speciale ta bëjë këtë se kush mund të jetë i akuzuar në Gjykatën Speciale”, ka thënë Gashi.

Ai ka theksuar se çdo gazetarë ka të drejtë të shprehet dhe të thotë atë që mendon, nëse këtë e bën me mirëbesim dhe në kuadër të analizës së tij si ekspert medial.

“Duke patur parasysh se Gjykata Speciale është gjykatë politike dhe selinë do ta ketë jashtë territorit të Kosovës (në Holandë – Hagë) dhe është e bazuar në raportin politik të senatorit zviceran Dick Marti, çdo akuzë në këtë gjykatë, përveç aspektit juridik, në një masë të madhe do të ketë edhe aspektin politik”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, për shkak të kësaj (aspektit politik) me saktësi nuk mund të dihet se kush do të akuzohet nga Specialja, duke shtuar “që askujt nuk mund t’i mohohet që të shprehet lirshëm për analizat e veta lidhur me emra potencial të atyre zyrtarëve të lartë që mund të akuzohen nga kjo gjykatë”.

“Nga disa rivalë politikë aludohet se Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, do të jenë të akuzuar nga Specialja. Por dihet se Haradinaj është eprori i lartë i UÇK-së, i cili dy here është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, dhe ky është rasti i vetëm kur një rast i njëjtë është gjykuar dy herë, ku Haradinaj që të dy rastet e ka fituar luftën me akuza të pavërteta të ngritura kundër tij nga Prokuror të Tribunalit të Hagës”, ka shtuar Gashi.

Ndryshe, dje është publikuar një listë nga ana e gazetarit Milaim Zeka, i cili pretendon se i di emrat e atyre që do të akuzohen nga Gjykata Speciale, ku në mesin e emrave janë edhe dy ish-komandantët e UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj. /Telegrafi/

Loading...