Në vend të ligës, turne Mbarëkombëtar me 16 skuadra, dy nga Maqedonia
Në mbledhjen e djeshme në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku morën pjesë përfaqësues të futbollit shqiptar dhe atij kosovar u hodh ideja për krijimin e një kompeticioni të ngjashëm me atë të Ligës Mbarëkombëtare
Pas idesë së hedhur nga kryeministri Sali Berisha për krijimin e një Lige Mbarëkombëtare dhe kërkesës së tij në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për të gjetur formulën për vënien në zbatim të saj, duket se kjo e fundit ka projektuar një turne të ngjashëm midis disa skuadrave të vendit tonë, Kosovës, ato shqiptare të Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Në pamundësi të krijimit të Ligës së Përbashkët, e cila juridikisht ajo nuk mund të zbatohet, pasi FKK-ja nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, duket se ideja për krijimin e një Kupe Mbarëkombëtare do të jetë një zgjidhje për të zhvilluar dhe evidentuar futbollistët dhe ekipet shqiptare që bëjnë pjesë në vendet e rajonit.
Ditën e djeshme, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku morën pjesë përfaqësues të futbollit të vendit tonë dhe të Kosovës është diskutuar mbi projektin e krijimit të Turneut Mbarëkombëtar, i cili do të ketë afërsisht formulën e një kupe, e cila nuk do të ketë ndikim në kampionatet respektive të skuadrave pjesëmarrëse.
Turneu i futbollit Mbarëkombëtar do të zhvillohet me një sistem të kombinuar, me takime vajtje-ardhje në fazën e grupeve dhe me eliminim direkt, duke filluar nga çerekfinalet deri në finale. Pjesëmarrëse do të jenë 16 skuadra.
Nga Shqipëria do të marrin pjesë 7 ekipet, që do të renditen të parat në Superligën e sezonit të ardhshëm. Gjithashtu, do të përzgjidhen 6 skuadrat që do të renditen në vendet e para të kampionatit të ardhshëm të Kosovës. Pjesëmarrëse do të jenë edhe 2 ekipe shqiptare nga Maqedonia dhe 1 nga Mali i Zi. Faza e parë e këtij turneu do të ndahet në katër grupe, me nga katër skuadra në çdo grup. Për në fazën e çerekfinaleve do të kualifikohen dy të parat e çdo grupi.
I gjithë kompeticioni do të ketë 61 takime dhe do të zgjasë 9 javë. Faza e parë do të zhvillohet gjatë muajve shtator-nëntor, ndërsa ndeshjet do të luhen në mesjavë.Ndërsa faza e dytë do të rifillojë në periudhën mars-prill. Pra, nga mënyra e ndërtimit të këtij turneu, mund të thuhet se kemi të bëjmë me një kampeticion gati analog me Kupën e Shqipërisë, ndërsa ndryshimi është se, pjesëmarrëse nuk do të jenë vetëm klubet shqiptare, por edhe ato nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Gjithashtu, kompeticioni që mund të zhvillohet vitin e ardhshëm nuk prek strukturën e kampionateve respektive. Në rastin e zbatimit të këtij projekti, do të krijohej një Turne Mbarëkombëtar, edhe pse jo me pjesëmarrjen e të gjitha klubeve shqiptare dhe kosovare, por në një farë mënyre do të krijohej mundësia e një kompeticioni, ku do të kishin mundësi që skuadrat shqiptare të konkurronin me njëra-tjetrën në një tjetër formulë.
Çmimi i turneut
Për të nxitur konkurrencën dhe pjesëmarrjen në këtë turne do të akordohet një çmim, nëpërmjet të cilit do të shpërblehen në mënyrë të barabartë, të gjitha ekipet pjesëmarrëse që kalojnë në fazën e çerekfinaleve dhe të diferencuar çiftin finalist. Çmimi mund të kapë shifrën e 200 mijë eurove, shumë e cila mund të ndahet:
- 15 mijë euro për çdo ekip që shkon në fazën e 1/8-ve
- 40 mijë euro vendi i dytë (përfshirë edhe shpërblimin e përfituar nga kalimi në fazën e 1/8-ve)
- 70 mijë euro për fituesin e Turneut (përfshirë edhe shpërblimin e përfituar nga kalimi në fazën e 1/8-ve) (sporti shqiptar)



Facebook
Furl
Digg
Myspace
Windows Live
Yahoo MyWeb
Publikoni komentin tuaj