Pas korrespodencës së djeshme në relacion VMRO DPMNE- Ministria për transport- PSP për rastin “Toplik”, sot subjektet në fjalë heshtin. Të gjitha palët e përfshira mbeten në qëndrimet e tyre, me përjashtim të Zyrës së avokatit të shtetit, e cila pritet të prononcohet për akuzat dhe dokumentet e prezantuar nga opozita.

Nga VMRO DPMNE për Alsat M shprehen se për shkak të aktiviteteve të tjera partiake, për momentin nuk kanë çfarë të shtojnë nga ajo që e prezantuan dje gjegjësisht se sipas tyre ministri i transportit dhe lidhjeve Sugarevski e ka njoftuar avokatin e shtetit se nuk ka dëm ndaj buxhetit në rastin me anulimin e shitjes së truallit për “Qytetin e Diellit”. Nëse nuk ka pasur dëm, sipas opozitës, kjo është arsye për stopimin e procesit të PSP ndaj ish ministrit Mile Janakieski dhe disa bashkëpunëtoreve të tij për rastin “Toplik”.

Për abuzime të këtilla të procedurave, VMRO DPMNE do të ngrejë procedurë penale kundër personave të caktuar për shkak se nuk e përmbushin obligimin e tyre që në kohë t’i informojnë institucionet apo abuzojnë institucionet për ndjekje politike”- u shpreh Toni Menkinoski nga VMRO DPMNE.

Kur dhe ndaj kujt VMRO DPMNE do të ngrejë kallëzim penal, nuk është e njohur. Ministri i transportit Sugarevski mbrëmë akuzoi se opozita në mënyrë selektive ka publikuar dokumente pasi në komunikimet tjera, Ministria e ka marrë parasysh si dëm shumën prej 1 milion euro nga buxheti, e paguar si normë interesi ndaj investitorit të pafat.

Në shkresën zyrtare të dërguar tek zyra e Avokatit të Shtetit thuhet se:” Ministria e Transportit dhe Lidhjeve paralajmëron kërkesë pronësore- juridike në shumën prej 64, 206, 000 denarë, gjatë konfirmimit të fajit të të pandehurve. Tezat që i plasojnë VMRO-DPMNE-ja dhe disa struktura të tjera janë të pavërteta dhe spekulime të pastra”- pohoi Goran Sugarevski , ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Prokuroria Publike Speciale mbrëmë theksoi se kanë dëshmi edhe për veprat penale edhe për dëmet e shkaktuara në “Toplik”.Por ata gjithashtu thanë se nuk janë të njoftuar me përmbajtjen e dokumentit që e publikoi opozita. Së paku deri në këtë moment, nuk morëm përgjigje nëse në ndërkohë, në detaje, e kanë shqyrtuar korrespondencën mes opozitës dhe pushtetit, dhe nëse ajo ndryshon diçka thelbësore në këtë rast.

ALSAT

Loading...