Tottenham-Manchester City do të jetë supersfida e kësaj jave në kampionatin anglez, ndeshje që do të nisë në mbrëmje në orën 21:00. Pas një fillimi jo krejt të thjeshtë, londinezët kanë hyrë në rrugën e fitoreve dhe gjenden vetëm 2 pikë larg skuadrës së Pep Guardiolas. Ndërkohë, Citizens do të kërkojnë të mbajnë hapin e rivalëve të Liverpoolit, të cilët fituan 4-1 përballë Cardiff City-t.
Që nga ardhja e tij në krye të klubit nga Manchesteri, Guardiola është mundur vetëm një herë nga Maurcio Pocchettino, ka barazuar një, dhe ka fituar tri herë në tri takimet e fundit.
Favoritë për këtë ndeshje janë pa dyshim “Citizens”, që nuk kanë humbur asnjë ndeshje deri më tani në Premier League. Gjithsesi, Spurs-at janë një ekip që gjithmonë hapin probleme e në rast suksesi do të parakalonin rivalët e tyre në renditje si dhe do të fusnin emrin e tyre në listë në garën për titull. Një sfidë edhe mes 2 prej sulmuesve më të mirë në botë, Sergio Aguero dhe Harry Kane. Gjatë këtij sezonit, argjentinasi ka shënuar gjashtë gola dhe ka dhuruar 2 asiste, ndërkohë kryegolashënuesi i sezonit të shkuar në Angli ka tundur 5 herë rrjetat e kundërshtarëve.
Ritmi dhe adrenalina e kampionatit anglez ka dhuruar gjithnjë një futboll të bukur e me shumë raste shënimi. Kjo gjë pritet të vërtetohet edhe në këtë takim, ku do të vihen përballë dy prej skuadrave më sulmuese dhe spektakolare të Premier League-s vitet e fundit.

Loading...