Trajneri Vëllazërimit, Islami flet për synimet e klubit dhe favoritët për titull

Stinori i ri në Ligën e dytë të Maqedonisë-grupi i Perëndimit nis të shtunën me takimet e javës së parë. Kampionati pritet me interes të madh pasi janë disa skuadra që do të luftojnë për kreun e renditjes. Mes ekipeve që pretendojnë kreun është edhe Vëllazërimi i Kërcovës, i cili në pankinë ka trajnerin ambicioz Bujar Islami.

Në prag të ndeshjes së parë kundër Llabunishtës, Islami ka folur për pritjet nga kjo ndeshje, për objektivat e skuadrës dhe favoritët për titull.

“Si çdo fillim i kampionatit, ndeshjet e para janë shumë të vështira dhe te paparashikueshme. Vëllazërimi është maksimalisht i përgatitur për të gjitha sfidat që e presin në kampionatin e ri. Sa i përket ndeshjes së parë kundër Llabunishtës mendoj se do të jetë një lojë e vështirë, por ne jemi optimist se do t’ia dalim të marrim rezultat pozitiv”, deklaroi trajneri Bujar Islami.

Sipas Islamit, objektiv i kërcovarëve në sezonin e ri është renditja në pjesën e epërme të tabelës së klasifikimit.

“Synimet tona janë ndërtimi i një ekipi stabil, pra një kombinim i rinisë dhe përvojës. Pra, synojmë pjesën e epërme të tabelës së klasifikimit, pasi mendojmë se kemi një skuadër për të arritur rezultate pozitive në sezonin e ri”, shtoi ai.

Ai veçon Struga Trim Lum si kandidat potencial për titull kampioni në kategorinë e dytë.

“Favorit për titull besoj se do të jenë disa ekipe, ku do të vecoja Struga Trim Lum, ekip që ka sjell përforcime të mira në radhët e veta”, përfundoi trajneri i Vëllazërimit, Bujar Islami.

Ndeshjet e javës së parë
E shtunë, ora 17:00
Llabunishta – Vëllazërimi
Korabi – Gostivari
Skopje – Pelisteri
Genç  Kalemler – Teteksi
Goblen – Struga Trim Lum

 

Loading...