Sermet Sulejmani

Kur para disa ditësh në një televizion i pashë tre musketarët sesi po ligjeronin për kauzën e re të ‘’vëllazërim-bashkimit’’, ‘’kërceva’’ sa munda përpjetë sa, shpejt e shpejt mora kalemin për t’i shkruar dy a tri faqe… jo, një libër të tërë prej dyqind faqesh për këtë ‘’angazhim të madh’’ të këtyre honxhobonxhove të demokracisë e, sa fillova, gota e mbushur përplot me lëng zemzemi ra mbi tastaturën e laptopit dhe…e dhjeva tërin! Mbeta i shtangur si një dru. Mezi po merrja frymë. Mos ore, thashë. Ç’bela që më gjeti. ‘’Peqe’’, thashë, edhe kjo më duhej. Brofa në këmbë si një i marrë e po shëtisja vetëm në dhomë. Fillova të pështyja nga të gjitha anët – murin, perdet, televizorin kur hop, papritur, hapi derën ime shoqe, e mezi embajta pështymën. Ajo hapi sytë e po më shikonte me habi. Fshiu me dorë ‘’të sharat’’ e mia dhe uluriti: –‘’Ore burrë, ke… ke… luajtur menç, ti?! Kë po e shan kështu i vetëm në dhomë!?’’ S’dija ç’t’I thoja, u skuqa si një qershi. Prita ndonjë fjalë më të rëndë, por shyqyr zotit ajo vetëm lëkundi kokën e mbeti me kaq. Shpejt e shpejt mora xhaketën dhe ika me rrëmbim nga dera e zbrita tek kafeneja e quajtur ‘’Mos m’i prek mustaqet’’, aty ku si rëndom e gjeja Ushtarin e Mirë, Hashep, Gazepin. E gjeta të strukur në një qoshe duke pështjellur cigaren e tij kaçak e me sytë kapsallitur në televizor. Çudi, ai s’para shikonte televizion! Qe i harlisur me një kureshtje prej bastexhiu saqë, edhe kur e përshëndeta ‘’tungjatjeta’’, ma ktheu me një të ftoftë cucël duke mos e prishur tertipin. Vazhdoi të thithte duhanin , i cili për hirë të vërtetës e kishte avullosur tërë ambientin. S’po i lëvizte asnjë gjymtyrë përpos dhëmbëve që i kërcisnin si arra vjeshte krrëk-krrëk. U zgjata si një presh kah ekrani të shikoja atë zë të njohur që s’po linte televizione pa zaptuar me ligjëratat e tij triumfale për fitoren e kauzës ”Denes Makedonija se ragja…’’, sakaq fytyra e mikut tim herë skuqej e herë zverrdhej si llampë. Qartë shihej që s’po arrinte ta duronte mënyrën e këtij vithkuqi sesi po mrekullohej duke ua shitur shqiptarëve ‘gjizën për djathë’, kur papritur, sytë e Hashepit u zverdhën si shumë dhe si pehlivan u shkëput nga karrigia duke u ngjitur mbi tavolinë dhe uluriti me sa mundi: -‘’Ptfuuf… bre nanën e nanës… të nanës së nanës, po cilin shqiptar përfaqëson ti?!’’ Në atë moment të gjithë klientët e kafenesë brofën në këmbë, ashtu siç bëjnë ushtarët para oficerit të tyre dhe përsëritën të njejtën frazë të Hashepit: ‘’Bre, nanën e nanës…të nanës…’’ Hashepi shtanngu i gjithi. Në dorë i kishte mbetur një filxhan që desh t’ia përplaste ‘’fytyrës’’ atij mysafirit në ekran por kur e pa veten mbi tavolinë, dalëngadalë zbriti duke pëshpëritur nën dhëmbë: – ‘’Po shikojeni bre se si i lëviz ato buzë plot me jarga si një rrospi Qustendili! Ky na qenka përfaqësues i yni… Ooo, me rob shpie…!’’ Pas tij, si në kor, u dëgjua i njejti togfjalësh sharjeje nga të pranishmit, ’’Uuu, me rob shpie’’!… Hashepi në ato çaste e ndjeu veten si një klloun para të pranishmit dhe uli kokën e heshti një kohë të gjatë. Heshtën edhe klientët e kafenesë sa, një kohë të gjatë s’u dëgjuan as mizat e verës e as çapat e klientëve që herë pas here hynin e dilnin nga dera e kafenesë. U desht që unë ta prishja disi heshtjen e mërzitshme që po mbretëronte duke e ngacmuar. –Ani, shiko, Hashep, shiko, si bylbyloka ky tjetri, Hashmeti… flap-fllup, si ai bualli i Cufës. Ka 20 vjetë që s’na hiqet nga ekrani duke na dhënë ders sesi ‘shkau i mirë’ qenka ai që di ta këndojë ‘’Rroka mandolinën…!’’ Ha-ha-ha… Ky është gjinihall, a Hashep? … Pas pak Ushtarit të Mirë i erdhi disi çeherja e foli. – ‘’Dëgjo shoku im i dashur, Hashmetit , Marsulit dhe Zymbeharit edhe mos ia zë për të madhe ngase kanë shumë merita për fitoren e kësaj kauze të ‘’vëllazërim-bashkimit’’ në Maqedoni, qysh në kohën e Gligorovit dhe Cërvenkovskit. Këta musketarë ‘’bënin sehirë’’ në kohën kur u votuan të gjitha ligjet që propozoheshin në parlamentin e Maqedonisë, që nga Deklarata e Pavarësisë, kushtetuta, himni, stema… kurse pas 2001-shit, partinë dhe anëtarësinë e tyre të PPD’së e hodhën si ujin e kovës në BDI e ju qepën pushtetit ‘’të ri’’ duke u pasuruar me miliona. Edhe sot, pas 20 viteve ‘’punë’’, i afruar shqiptarët me LSDM-në, si më parë, e herën tjetër, ku ta dish…’’ – Ama këta të Zajevit s’janë edhe kaq të këqinj… a Hashep?… -‘’Kush të tha ty’’? – Po ja… e thonë të gjithë… – ‘’O është i njejti ‘brum’, qoftë ‘’laramanë’’ apo ‘’me tupan’’, derrin e hanë në të njëjtin sahan…’’

Loading...