Opinione

Tregtia me vizat dhe (mos)marrëveshja e demarkacionit

fadil

 

FADIL LEPAJA

Shkëlqesia e tij, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, na e mbajti një leksion të domosdoshëm nga diplomacia. Kjo nuk do të thotë se në meselet tona, nuk ka hiç diplomaci, por ku oda, ku e mësoi politikën elita jonë, e ku shkollat elite të diplomacisë botërore.

“Në shkollat e diplomacisë, gjëja e parë që na mësuan ishte të mos përgjigjemi në pyetjet hipotetike”, pra ato të tipit “Çka, nëse?”. Çka, nëse ndodhë më e keqja, pra opsioni i padëshiruar? “Unë do të punojë,-tha ai, që të ndodhë më e mira”.

Kuptimi i ligjëratës ishte : “Komisioni Bulliqi, flet gjepura”. Ndërkaq, ky i dyti , Bulliqi pra, pretendon se flet me fakte. Edhe i treti, në hierarkinë e shtetit, kryeministri i vendit, mbahet më tepër me “gjepurat”, pasi qysh e dimë ai e shkarkoi komisionin e parë i cili pat përmbledhur situatën në një dokument, i cili më vonë u formësua në një (mos)marrëveshje, e cila pasi u nënshkrua, u ratifikua menjëherë nga parlamenti malazez. Por, ndërtesat e qeverisë dhe parlamentit kosovarë qëlloi që të jenë më larg njëra tjetrës sesa institucionet malazeze. Pra, (mos)marrëveshja i hipi breshkës.

Në vend se ajo të jetë një çelës për liberalizim të vizave, u shndërrua në një dry që po e mban mbyllur këtë derë, nëpër të cilën kosovarët, me aq ngulm , tash e sa vite po përpiqen të dalin. Në fakt, për të ikur nga parajsa e jonë, e ndërtuar në bashkëpunim të gjithanshëm të faktorit ndërkombëtarë dhe atij vendorë mjaft kosovarë e dhanë jetën apo u sëmurën rëndë rrugëve klandestine të hapura nga ky bashkëpunim gjithëpërfshirës. Aq e përsosur doli të jetë, pra kjo marrëveshje, sa kurrqysh nuk i bie tamam popullit tonë të papërsosur. Ndërkaq, malazezët, nëpër barsoleta nga koha e ish Jugosllavisë, njihen si popull që nuk ngutet. Tash, kanë ndryshuar gjërat. Një malazez epik, nga barsoletë e asaj kohe, e nxjerr revolen dhe i shkrep disa plumba në asfalt. “Përse gjuan kot , – e pyesin miqtë e tij?”.

“E vrava kërmillin, se po më përcillte që nga Cetinja-u përgjigj ai. Aq të ngadalshëm paragjykoheshin asaj kohe, gati sa breshka jonë që shpërndante postën në mes institucioneve. Sidoqoftë, këto barsoleta nuk shkojnë më me rolin e ri, të Malit të Zi, në rajon. Ata po ecin më shpejt se ne. Një barsoletë tjetër, shtron pyetjen përse, një malazezi i duhet karrigia pranë shtratit? Për të pushuar, kur të zgjohet nga gjumi, është përgjigjja që duhet të na bëjë të qeshim. Por, ne ende nuk jemi zgjuar nga gjumi. Kur të zgjohemi, sdo kemi kohë të pushojmë në karrige, sepse do të na duhet të vrapojmë për të zënë të tjerët. Pra kërmilli, simbolizonte shpejtësinë malazeze, ndërkohë që Mali i Zi , institucionet e këtij vendi mik, me shumë efektivitet i kryen të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja e nënshkruar në mes dy vendeve.

Ata e kryen punën, ndërkohë që kërmilli, apo breshka, si të duam ne, na mbeti në derë, neve. U desh të mbahen dy palë zgjedhje, të rrënohet një koalicion dhe me shumë pompë të formohet tjetri, të shkarkohet komisioni i parë që kryesohej nga një zyrtarë i kontestuar nga politika dhe etika, për të ardhur në krye të ekzekutivit, një i “tretë” tjetër, për ta dërguar marrëveshjen në parlament. Te ne, kryeministrin, protokolli e kapë si zyrtarin e tretë në hierarki të shtetit. Ajo që gëzon është fakti i konfirmuar se marrëveshja, ka arritur shëndosh e mirë në parlament, dhe kjo dokumentohet me thënien tashmë të famshme, të njeriut të dytë, në hierarki i cili në mbledhje të kryesisë së kuvendit, u thotë kolegëve të vet, përfaqësuesve të popullit, se duhet të lëmë pallavrat dhe të votojmë marrëveshjen. Pra , çka nëse nuk kalon? Cila është dilema? Pas deklarimit të shkëlqesisë së tij, dilema kryesore, politike nuk është më se a po humb territor Kosova apo jo, por a je me Amerikën apo nuk je.

Moderatori , ishte i pamëshirshëm në bisedë me shkëlqesinë e tij dhe në insistimin e tij që të dihet çartë qëndrimi i SHBA lidhur me (mos)marrëveshjen. Insistimi i tij është i kuptueshëm kur kihet parasysh, se vet kryeministri i vendi nuk mendon si Presidenti, as si krye parlamentari, të cilët janë angazhuar me shumë përkushtim për këtë marrëveshjeje, me gjasë pa menduar fare në është e gabuar ose jo. Tash, të kuptohemi. Diplomatët nuk përgjigjen në pyetje hipotetike, por ne që merremi me të (pa)bërat e politikës tonë mund edhe të flasim, se çfarë mund të ndodhë pas ditës “D”. Çka nëse nuk ratifikohet marrëveshja? Çështja është se kujt i mbetet përgjegjësia për vonesën dy vjeçare. Ajo që është e sigurt, është se kjo marrëveshje u (keq)përdor nga oligarkia, që të bëhet një rreshtim i krijuar artificialisht , në forca properëndimore , të cilat e përkrahnin këtë marrëveshje dhe në ato jo perëndimore, që ishin kundër, edhe pse askush nuk mund të japë ndonjë argument më tepër, se përse të parat janë pro dhe të dytat kundër.

Zgjedhjet e kaluara nacionale, e rrënuan këtë vijë që krijonte probleme dhe jetonte me to, duke na bërë edhe ne jo vetëm pjesë të problemit, por edhe problemin vet. Doni viza, na thotë politika jonë e korruptuar deri në palcë? Duam, themi ne! Atëherë, votojeni! E çfarë u hyn në punë ju një bjeshkë, ku nuk keni qenë kurrë, dhe me shumë gjasë nuk do të shkoni kurrë? Çakorri, Zhlebi apo Parisi, Roma, …? E keqja është se, liria e lëvizjes, nuk guxonte të kushtëzohej me territor? Dëmi që e krijoi politika me këtë marrëveshje prej diletantësh, është shumë më i madh sesa (mos)liberalizimi i vizave.

Një entitet i tërë është vënë në karantinë dhe po jep para të mëdha për të korruptuar administratat e shteteve përreth, për një pasaportë. Ndërkohë që biznesi me viza, është i njohur në këto anë dhe me të janë turpëruar edhe emra individësh dhe familjesh të famshme, edhe presidentët me deklaratat e tyre, që u japin shpresë qytetarëve, u japin shpresë se ky biznes do të vazhdoj të zhvillohet në nivelin më të lartë me garanci të shtetit. Ajo, marrëveshja e hipur mbi breshkë, ka mbërri tashmë në parlament, tash mbetet të shohim kush ka interes nga kriza. Po, pra, edhe kriza është interes. Secila marrëveshje, është potencialisht edhe mosmarrëveshje…! Gjepura, pallavra, votojeni! Me kë jeni: me ne apo me arushën….? Intelektualët janë vetëm me qytetarët, dhe për detyrë e kanë të dyshojnë. Shkëlqesi, e çka nëse….?

 

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


Time limit is exhausted. Please reload CAPTCHA.

To Top