Fadil Lepaja

As trimëria më nuk është çfarë ishte dikur. Nuk e këndon dot në këngë. Nuk është ajo lloj trimërie e cila dikur me patjetër e vishte në të zeza dikë, apo kërkonte mortin e dikujt për lavdinë e tjetrit. Runa zot prej trimave të moçëm. Ata përveç se na çliruan, e sollën edhe një koncept tjetër të guximit. Në fakt, nuk e sollën ata, sepse atë e gjetën në mesin tonë. U pa se mjafton që të lavdërohemi nga dikush, i jashtëm gjithsesi, për guximin dhe guximi ynë merr flatra. Bëjmë atë çka as në ëndërr nuk e mendonim dot. Tash, fjala “guxoi”, pra në kuptimin se ai/ajo guxoi, përdoret në një kontekst krejt tjetër. Kurdo që në fjali përdoret fjala guxim, dijeni se ka të bëjë me artin. Gjithçka është art, nëse e bëjnë të guximshmit. Nuk është me rëndësi teknika, as ideja artistike, madje nuk është e rëndësishme asgjë tjetër përveç guximit. Guximi për me e bë atë çka nuk ka bërë askush deri më sot. Së paku jo në mikrobotën tonë, nëpër të cilën sillemi vërdallë, vallëzojmë, e kërcejmë si çdo i lirë tjetër në këtë planet. Veçse liria jonë ka kufi, e nuk ka liberalizim. Pastaj, të gjitha artet kanë marrë edhe formën e performancës. Nuk quhen, nëse nuk ndodhin live. Nuk bëhet gara se kush pikturon më mirë, kush ka zë më të mirë , apo kush aktron më mirë, se fundja parlamenti i la pa bukë aktorët. Edhe disa deputete, janë bërë më atraktive se vet këngëtaret. Nuk ka dert se asnjëra palë nuk dinë të këndojnë, apo flasin. Kush i dëgjon, se?! Tash gara e madhe nuk ka të bëjë me emocionet që na falin artistët, apo horizontet që hapin, por krejt puna është se kush na eksiton, më tepër. Kush i hallakatë më tepër gjëndrat e publikut. Kjo është çështja madhore. Pastaj, më nuk është trimëri me e sha shtetin apo partinë, sepse po i shajnë të gjithë. Populli e shanë (pu)shtetin, edhe shteti e shanë popullin. Shteti nuk shqetësohet fare, se në fund mbetet e tija. Shteti e bënë… të veten. Qysh e pamë edhe më lart, guximi nuk ka të bëjë veç më me armët, sepse KFORI-i mori të gjitha. I mori në jug, e i lejoi në veri…! Ani çka se kryeministri merr guximin të vizitoj territorin e vet, nën përcjellje të KFOR-it. Edhe ky është guxim. Guxim është edhe kur analistët nga veriu, këtë shkuarje e cilësojnë si tregim të muskujve nga ana e kryeministrit. Po cilët muskuj, or ti? Ka muskuj kryeministri? Qeveria? Ne nuk kemi dilema: ishte guxim, të shkohet në veri dhe të hapet një urë, të cilën, pasi veç ra fjala, e kishte bërë KFOR-i. Ky natyrisht nuk është guximi, i cili e arsyeton titullin e kësaj kolumne. Për tjetër e kemi fjalën. Tash, guximi, ka tjetër kuptim. Ja, për shembull një aktore shqiptare, lavdërohet nga media për guximin e sajë për të bërë një skenë nudo nën dush, dhe duhet pranuar se kjo ishte e guximshme, se ne të gjithë bëjmë dush veshur dhe në privatësi të plotë. Një tjetër përmendet për guximin e sajë që publikisht të ekspozoj tulet e sajë me celulit, pra celulitin ,atë pjesën më intime të cilën një grua e fshehë edhe nga burri i sajë. Apo ajo tjetra lavdërohet me guximin e saj të i tundë përpara një të panjohuri. Thjesht, pa komplekse, zhvishet dhe i tundë përpara hundëve të një të panjohuri. Përpara ishte ndryshe. Si thotë rrëfimi ynë i radhës, shkon një zonjë në ordinancën private të mjekut, dhe ai menjëherë i thotë të zhvishet, derisa ai të bëhet gati. Qyqe, doktor, ia kthen ajo e turpëruar, zhvishu ti i pari, se po më vjen turp. Nuk dihet se si u mbyll kjo anekdotë, u zhvesh apo jo edhe doktori, po në fakt, por ajo që dihet është se njerëzit e turpshëm, ata që nuk guxojnë, vështirë të bëhen yje, pra VIP-a. E vështirë të ecin edhe në politikë. E kuptuat? Sido që të jetë, nëse presidenti ynë, përplot merita e dekoron dikë për guxim, duhet të e dekoroj heroinën shqiptare e cila guxoi e para me e rrahë publikisht, zogun e sajë. Është paksa, jashtë juridiksionit të tij, ndoshta, por gjithsesi kjo është çështje me rëndësi kombëtare. Krenari kombëtare. Kështu, me gjithë ato dekorata që i shpërndau jashtë shtetit, sidomos në Maqedoni, disa nga të cilat iu kthyen mbrapsht, ka mundur të vlerësojë edhe guximin. Guximin e sotëm, e jo vetëm atë luftarak. Ndoshta ajo nuk do të kthente dekoratën. Pastaj, andej është edhe fushatë zgjedhore dhe sido që të jetë, një gjë është e sigurt: me këdo të dali në zgjedhje, i fiton! Por, ka edhe meshkuj trima. Trim është edhe gazetari i famshëm i cili në emisionin e tij i puthë në buzë, u futë edhe gjuhën me raste, yjeve të cilat na bëjnë dritë në këtë errësirën ballkanike, ku të izoluar shajmë veten se kemi mbetur prapa prandaj të tjerët nuk po na pranojnë në gjirin e vet. Na lodhën me negociata, kapituj, liberalizime…kushte! Ç’ne me këto kushte?! A nuk e keni parë, se si yjet tona të vogla, në emision shkojnë si xixëllonja e dalin si supernova. Bëjnë super dritë. Kudo që shkojnë pastaj i ndjek media. Nga kuzhinë, në banjë, e pastaj edhe në tualet. Pra, trimëria! Guximi me u nda prej turmës, me qenë ndryshe, me u përmend, është çka është! Trim është edhe Edi, i cili shkoi në Beograd, pa e lëvizur qerpikun. Pas mbretit, të dikurshëm të shqiptarëve, askush nuk e kishte bërë. Por, ky nuk e pretendon dekoratën, dot! Nuk e ka bërë i pari. Pastaj, ky veç sa vajti e u kthye. Pastaj sërish vajti dhe sërish u kthye. Nuk qëndroi gjashtë muaj, as u kthye me mercenarë për të pushtuar atdheun! Trim është edhe Enveri, ky i Kosovës, që i tha të flas veç në emër të Shqipërisë, dhe jo të Kosovës. Se, kur flet Enveri, dihet. Ka folur vet shefi i tij, i cili nuk shkon dot në Beograd. Trim është edhe presidenti vet, që përkulet përpara lapidarit ku shkruan se ai është terrorist. Trim është edh Daçiçi, i cili dikur i këndoi në vesh, kryeministrit shqiptar këngën “O solle mio”, duke rrezikuar të keqkuptohej. Politikisht, gjithsesi. Për të tjerat sot nuk humbë asgjë. Madje quhet trimëri po e pranove. Krenari, madje. Pra, trimat dhe trimëreshat e sodit, nuk janë si ishin dikur. Por, kanë ndryshuar të gjithë. Edhe ne, edhe ata, edhe ata të tjerët. Trimëri është me ecë me botën. Është pra, sidomos kur ata ecin me supervetura, ndërsa ti me super…këpucë! Vrapo…trim!

Loading...