Tunelet nën Kala, zgjidhje për kaosin në Çair

aosi dhe pritjet e gjata komunikacionin rrugor në Shkup mendohet të zgjidhet përmes planeve të vjetra urbanistike. Projektin e shumë përfolur për hapjen e tuneleve për komunikacion nën Kala të Shkupit, ide kjo e cila daton që nga periudha pas tërmetit katastrofal të vitit 1963, së fundmi e ka aktualizuar kryetari Petre Shilegov.

Qëllimi i administratës së re të Qytetit të Shkupit është që pjesa veriore e kryeqytetit të ketë lidhje të re me qendrën dhe pjesën e mbetur të saj. Planet fillestare të Qytetit të Shkupit janë që bulevardi “Shën Klimenti i Ohrit”, që kalon përreth godinës së Qeverisë, të vazhdojë tutje përmes parkingut që gjendet afër, mbi urat e reja që mendohet të ndërtohen, përreth ndërtesës së Doganave të Maqedonisë e drejtë nën tunelet e Kalasë. Gjatësia e kësaj rruge ambicioze që synon ta ndërtoj Qyteti i Shkupit, pritet të jetë deri në 180 metra dhe e njëjta do të kalojë nën Muzeun Bashkëkohor të Artit, respektivisht dalja-hyrja e tij do të lidhet në njërin prej udhëkryqeve të rrugës së Plastikëve.

Meqë fillimi i punimeve për hapjen e tuneleve për komunikacionin nën Kala, përflitet se do të nisin vitin e ardhshëm, gazeta Koha kërkoi përgjigje nga Qyteti i Shkupit për rrjedhën e procedurës dhe përgatitjeve në përgjithësi. Duke mos theksuar se sa do të kushtojë i gjithë projekti dhe për sa kohë pritet të përfundojë i njëjti, autoritet e Qytetit të Shkupit thonë se për momentin janë duke përfunduar përgatitje për shpalljen e thirrjes publike për përpunimin e projektit ideor.

“Pas përgatitjes së projektit urbanistik dhe vendimeve infrastrukturore, saktë do të dihet itinerari i kësaj rrugë, përfshi edhe koston e projektit. Po ashtu, gjatë përpunimit të dokumentacionit teknik do të përgatiten dhe analiza gjeomekanike të tokës, gjegjësisht në rast se haset në ndonjë pengesë, me automatizëm do të ofrohen alternativa në planin dokumentues, i cili është në përgatitje e sipër”, thonë nga Qyteti i Shkupit.

Ndërtimi i rrugës së re nën Kala, sipas analizave paraprake – në masë të madhe do ta reduktonte komunikacionin në rrugën “Cvetan Dimov”, e cila për momentin paraqet një ngarkesë tejet të madhe për qytetarët e Shkupit.

Kolonat e gjata që krijohen në orët e pasdites në këtë pjesë të qytetit, fatkeqësisht nuk po zgjidhen me dekada të tëra. Kësisoj, nisma për hapjen e një rruge të re që do ta lidhe qendrën Shkupit me Komunën e Çairit, Butelit dhe atë të Shuto Orizarës, paraqet një shpresë për shumë banorë të kësaj ane, të cilat shpeshherë ballafaqohen me ngarkesë psikologjike kur qarkullojnë nëpër rrugët aktuale.

Rinovimi i Rrugës së Plastikave dhe asaj të të “Makedonska Kosovska Brigada” është paraparë të bëhet me buxhetin e këtij viti të Qytetit të Shkupit, gjegjësisht në të ardhmen këto dy rrugë pritet të jenë arteria kryesore që do të kryeqytetin mes vete. Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare, plani për hapjen e këtyre tuneleve nën Kala, fillimisht është përfshirë në Planin Detal Urbanistik të Komunës Qendër, të vitit 1965, më pas i njëjti është vërtetuar në vitin 1985 dhe debati i fundit për ndërtimin e kësaj rruge është përfolur në vitin 2002. Inxhinier dhe ekspert të ndryshëm të fushës së ndërtimtarisë së rrugëve kanë potencuar se realizimi i këtij projekti është i mundshëm pasi toka nën Kala është tejet e butë dhe e përpunueshme. Megjithatë, vullneti dhe këmbëngulja institucionale për këtë projekt mbetet faktor kryesor për ndërtimin e saj. Përveç reduktimit të komunikacionit në pjesën e Çairit dhe Butelit, kjo rrugë mendohet se do të zgjidh kaosin edhe në udhëkryqin te kompleksi i Gjykatave, për ku thuhet se brenda ditës kalojnë mbi 85 mijë vetura. /koha.mk/

Loading...