Surpriza e madhe e Mastersit të Torontos ishte eliminimi i Fabio Fognini. Italiani u mund nga 19-vjeçari Denis Shapovalov, i cili aktualisht renditet i 26-ti në botë. Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-0 (6-3, 7-5) në 1 orë e 22 minuta. Pasi humbi setin e parë, italiani Fognini ishte duke e fituar setin e 2 me një avantazh 4-0, por kanadezi Shapolapov, që ka origjinë ruse, arriti të barazonte 4-4 e më vonë të fitonte të gjithë ndeshjen. Ndërkohë nuk ka probleme për emrat e tjerë të mëdhenj. Rafa Nadal mundi pa vështirësi francezin Benoit Fare me rezultatin 2-0 (6-2 6-3). Të lehtë e pati rrugën dhe Novak Djokovic, i cili mundi po në 2 sete kanadezin tjetër Polansky (6-3 6-4). Për sa u përket femrave, ato luajnë po në Kanada, por në qytetin e Montrealit. Legjenda e këtij sporti, rusja Maria Sharapova, humbi vetëm 2 game kundër bashkëkombëses Kasatkina. Çmimi i madh për turneun e femrave është 2.4 milionë euro, ndërsa te meshkujt llogaritet afërsisht 4.6 milionë.

Loading...