Ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu deklaroi se qeveria e tij ka informacione të reja në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi dhe se mund t’i bëjë publike dëshmitë pas përfundimit të hetimit mbi vdekjen e gazetarit.

Duke folur gjatë një vizite në Japoni, Çavusoglu u tha gazetarëve se Arabia Saudite dhe vendet e tjera të interesuara mund të shohin informacionet që posedon Turqia.

Ai theksoi se pas bisedave të shumta me Mbretin Selman, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan është i bindur se mbreti saudit nuk ishte i përfshirë.

Por, sipas Çavusoglu është e qartë se një ekip 15 anëtarësh që dyshohet të ketë udhëtuar për në Turqi për këtë operacion, nuk mund ta kishte bërë këtë pa një urdhër nga lart dhe hetuesit duhet të gjejnë personin që ka dhënë urdhrin për këtë operacion.

Më shumë se 40 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë kërkuar një hetim të plotë të vdekjes së Khashoggit dhe reforma në ligjet e të drejtave të njeriut në Arabinë Saudite.

Loading...