Presidenti turk Recep Taip Erdogan i ka bërë thirrje Arabisë Saudite të tregojë se kush dha urdhër për vrasjen e Xhamal Kashogit në konsullatën saudite në Stamboll. Ankaraja kërkon nga Riadi të dorëzojë të dyshuarit që të gjykohen në Turqi, si dhe të ndihmojë për gjetjen e trupit të gazetarit:

Presidenti i Turqisë, Recep Taip Erdogan tha sot se hetimet mbi vrasjen e Kashogit duhet të zhvillohen pa vonesa dhe pa lejuar justifikime. Ai i bëri komentet për një grup gazetarësh në parlamentin e vendit.

Turqia ka kërkuar ekstradimin e 18 të dyshuarve sauditë, të cilët janë ndaluar nga autoritetet saudite për vrasjen e Kashogit më 2 tetor. Po ashtu Ankaraja po kërkon ndihmën e Riadit për të zbuluar ku ndodhet trupi i gazetarit.

Mbrëmë në Londër u zhvillua një ceremoni përkujtimore për gazetarin e vrarë, ku foli edhe e fejuara e tij, shtetësja turke Hatice Cengiz:

“Jam shumë mirënjohëse për solidaritetin që kanë treguar njerëzit në të gjithë botën. Por jam e zhgënjyer nga veprimet e udhëheqësve në shumë vende, veçanërisht nga ato të presidentit amerikan. Zoti Trump duhet të ndihmojë për të zbuluar të vërtetën dhe për të garantuar se drejtësia po vihet në vend. Ai nuk duhet t’i hapë portën një inskenimi për të mbuluar të vërtetën për vrasjen e të fejuarit tim. Nuk duhet të lejojmë që paraja të na njollosë ndërgjegjen dhe të na kompromentojë vlerat”.

Xhamal Kashogi jetonte në mërgim në Shtetet e Bashkuara, ku kishte shkruar në gazetën Washington Post një numër artikujsh kritikë ndaj Princit saudit të kurorës, Mohamed Bin Salman.

Presidenti Trump e ka cilësuar vrasjen e Kashogit si “një ndër përpjekjet më të shëmtuara në histori për të mbuluar të vërtetën”, por ka thënë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të tregohen tepër kritike ndaj regjimit saudit, pasi dy vendet janë në prag të përmbylljes së një marrëveshjeje për shit-blerje armësh me vlerë prej miliarda dollarësh.

Loading...