Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Cavusoglu, deklaroi sot në Tokio se Turqia ka prova të qarta në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, të cilat ende nuk janë bërë publike dhe të cilat do të publikohen posa të përfundojë i tërë hetimi.Disa nga provat janë dorëzuar te autoritetet saudite dhe te shtetet tjera të cilat janë interesuar ta hetojnë rastin. Kështu deklaroi Cavusolgu në një vizitë në Japoni, siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve, “Anadolu”. “Pasi të përfundojë hetimi dhe të sigurohemi për gjithçka, do të vazhdojmë me publikim të fakteve”, tha ai. Ai shtoi se është në përgjegjësinë e autoriteteve saudite që ta zbulojnë se çfarë ka ndodhur me trupin e Khashoggit, pasi një skuadër prej 15 vetash e cila, sipas Turqisë, ishte dërguar ta vrasë Khashoggin, tashmë është kthyer në Arabinë Saudite.Ai përsëriti se Turqia nuk beson se Mbreti Salman e ka urdhëruar vrasjen. Ai njoftoi se Erdogan ka biseduar dy herë në telefon me Salmanin dhe nuk beson që ai është një tip që lëshon urdhër për vrasje. Sidoqoftë, javën e kaluar Erdogani kishte thënë se urdhëri për vrasje të gazetarit kishte ardhur nga nivelet më të larta të qeverisë saudite. Arabia Saudite kishte deklaruar në fillim se gazetari kishte dalë menjëherë jashtë konsullatës, por më vonë e pranoi se ai ishte vrarë brenda saj. Megjithatë, shteti saudit vazhdimisht ka mohuar akuzat për përgjegjësi në lidhje me këtë vrasje, ndonëse bashkëpunëtorë të ngushtë të qeverisë janë në mesin e të dyshuarve për vrasjen.Turqia e ka akuzuar vazhdimisht Arabinë Saudite për mungesë të bashkëpunimit në hetime dhe për shkatërrim të provave. Të hënën, një zyrtar turk tha se të paktën dy anëtarë të ekipit të dërguar nga Arabia Saudite për ta hetuar vrasjen e Khashoggit, në fakt kishin ardhur aty për t’i mbuluar provat, shkruan “The Washington Post”.

Loading...