Burimet diplomatike në kushte anonime për AA konfirmuan se në Turqi është kthyer helikopteri ushtarak me të cilin dje në mëngjes në Greqi u arratisën tetë oficerë të cilët kanë marrë pjesë në tentativën për realizimin e grushtit të shtetit në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Helikopterin e llojit Black Hawk mbrëmë rreth mesnatës e morën pjesëtarët e Forcave të Armatosura Turke dhe u nisën për në Turqi. Më herët shefi i diplomacisë turke Mevlut Cavusoglu njoftoi se Turqia zyrtarisht ka kërkuar nga Greqia që urgjentisht të dorëzojë oficerët e arratisur dhe helikopterin.

Policia greke konfirmoi se tetë oficerë janë arrestuar pasi të shtunën në mëngjes ateruan në aeroportin Alexandroupoli. Oficerët e arrestuar nga Greqia kërkuan azil politik, ndërsa Gjykata greke do t’i hetojë për shkak të hyrjes ilegale në vend dhe cenimit të marrëdhënieve diplomatike me Turqinë.

Avokati i oficerëve Lia Marinaki deklaroi se oficerët sot do të nxirren para prokurorit dhe se në këtë mënyrë do të fillojë procesi gjyqësor. “Në rrethana normale procesi do të mund të zgjas deri në një vit. Është e qartë se oficerët nuk dëshirojnë të ekstradohen në Turqi sepse frikësohen se do të ekzekutohen”, tha Marinaki.

Cavusoglu dje zhvilloi një bisedë telefonike me homologun grek Nikos Kotzias për situatën në Turqi pas pengimit të grushtit të shtetit, por edhe për rastin e oficerëve të arratisur.

“Greqia në mënyrë urgjente do të nisë procedurën për tradhtarët dhe shpresojmë se në shenjë të vullnetit të mirë do t’i ekstradojë në Turqi me qëllim që të nxirren para drejtësisë”, tha Cavusoglu.

Loading...