Në ambijentet e Teatrit “Poshka” në prani të një numri të konsideruar të dashamirëve të fjalës së shkruar, në organizim të LNPSHA “Pegasi-Albania”, mbështetur nga komuna e Strugës dhe kryetari i saj Ziadin Sela, u promovua libri më i ri i Dr. Bexhet Asanit, ” Studime letrare”.

Fjalë rasti në përurimin e librit “Studime letrare” të Bexhet Asanit , mbajti njëri nga redaktorët e këtij libri, Kristaq Shabani nga Gjirokastra, kryetar i LNPSHA “Pegasi Albania” i cili gjërë e gjatë foli për përmbledhjen dhe brëndinë e librit duke u ndalur në segmente të veçanta të librit.

Më pas fjalën e morën Flutura Maçi,-piktore dhe poete, e cila poashtu nga këndvështrimi i sajë i bëri vlerësim librit para të pranishmëve. Shkrimtarja Nexhmije Kasami poashtu prezantoi referatin e saj kushtuar librit “Studime letrare”, posikur edhe shkrimtarja dhe poetesha Puntorie Muça-Ziba. Ndërkaq, skulptori dhe poeti Haxhi Kalluci, pasi tha disa fjalë për librin dhe duke e ftuar autorin për një promovim në Fier, tha se ardhja e tij ka edhe një motiv shtesë e ky është: “Duke pasë parasysh se jam edhe skulptor, do të dëshiroja që të bëj diçka edhe për Strugën, në pajtim me autoritetet vendore e kjo që do të dëshiroja të bëj është busti i poetit Dritëro Agolli”-tha në fund të fjalës së tij Haxhi Kalluci.

Më pas nga të pranishmit, fjalën e mori poeti Vait Nasufi i cili pos tjerash, duke dashur të jet modest, por duke shprehur brengosjen e vet theksoi: “Nuk po mundem me kuptua se si ka mundësi që kjo sallë të mbetet pa mbushur përplot?” .

Libri “Studime letrare” i autorit Dr.Bexhet Asani, recenzuar nga Dr.Zeqirja Neziri, Dr.Rrustem Berisha dhe Dr. Sadri Fetiu dhe redaktuar nga Dr.Nuhi Vinca dhe Dr. Kristaq Shabani, lektoruar nga Afërdita Asani, i shtypur në shtypshkronjën “Iris” në Strugë, ndahet në katër pjesë:Në pjesën e parë fillon me “Vëllezërit Qiriazi” dhe përfundon me “Disa zhargone të muratorëve nga treva e Strugës”;, pjesa e dytë i kushtohet poetikës dhe fillon me “Një kurorë sonetësh për Gonxhe Bojaxhiun” dhe përfundon me “Vjerrsha që ngazëllejnë shpirtin e fëmijës”; pjesa e tretë i kushtohet lirikës popullore, krijuesve dhe autorëve të kësaj fushe, duke filluar nga Dr. Nuhi Vinca dhe përfundon me Dr. Rahmi Tudën. Në pjesën e katërt autori i përkushtohet gjuhës, lëvizjeve, vizitave, bisedave, ngjarjeve etj, dhe përfundon me shënimet bibliografike.

Vlen të theksohet se shënimet biografike të autorit Dr.Bexhet Asani i prezantoi Kujtesa Kepi, ndërsa programi u shoqërua edhe me dy këngë nga thesari shqiptar.

Në fund të këtij përurimi, autori faleminderoi organizatorët LNPSHA “Pegasi-Albania” që i ndau Titullin e Lartë Pegasian “Studjues i shquar”, komunën e Strugës dhe të pranishmit, duke krijuar edhe një atmosferë humori gjatë paraqitjes së bashkëshortes dhe bashkëpunëtores së tij Afërdita Asani.

Loading...