Intervistë ekskluzive për “Lajm” e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj

Ne bashkëndjejmë me shqiptarët e Maqedonisë, me bashkëkombësit tanë dhe ky interesim për gjendjen atje është legjitim. Ne nuk kemi qenë të përfshirë as në të kaluarën, as tani e as në të ardhmen, në çfarëdo veprimtarie luftarake. Tashmë po shihet se problemi nuk është te involvimet as nga Kosova as nga dikush tjetër, por është mënyra e qeverisjes së vendit. Unë mendoj se pushteti në Shkup i korruptuar dhe i kriminalizuar, kërkon fajtorë, ose kërkon arsye se pse e ka një gjendje të keqe në vend. Unë mendoj se gjendja buron pikërisht te mënyra e qeverisjes në vend, pra te pushteti i korruptuar dhe i kriminalizuar, i cili poashtu i ka diskriminuar shqiptarët”, thotë haradinaj duke komentuar akuzat që i janë bërë nga mediume maqedonase, se njerëz të tij të afërm qëndrojnë pas ngjarjeve të Kumanovës

Në këtë intervistë Haradinaj flet për aktualitetin shqiptar në Kosovë dhe në Ballkan, për konfliktin e Kumanovës, për djemtë që u vranë aty, për spekulimet se ata kanë marrë para, për spekulimet që bëjnë mediumet në Maqedoni lidhur me emrin e tij dhe të vëllaut të tij, Daut Haradinaj dhe për shumë tema tjera aktuale. Poashtu flet edhe për raportet me kryetarin e PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, si dhe për raportet me BDI-në e Ali Ahmetit

 

Lajm: Sa jeni të kënaqur nga protesta që e organizuat uikendin e fundit nbashkë me NISMA për Kosovën, që në fakt ishte testi i parë në praktikë i koalicionit AAK-NISMA?

 

Haradinaj: ka disa kohë që në Kosovë është rritur shqetësimi për mënyrën e qeverisjes në vend. Kemi një shkallë të lartë të korrupsionit, që është vlerësuar endemik nga Stej Departamenti Amerikan, kemi nj gjendje status-quo në veri edhe vendimet që janë kthim prapa, ai për bashkësinë e komunave me shumicë serbe dhe shënimi i kufirit me Malin e Zi, kanë shqetësar mjaft qytetarët. Ne kemi ngritur këto shqetësim në Kuvend edhe me organizime qytetare, si protesta, peticione, veprime tjera senzibilizuese në të kaluarën, duke funksionuar si opozitë më e gjerë dhe e bashkuar. Mirëpo në rrugëtimin më tutje, kemi iarritur deri te një koalicion mes Aleancës dhe Nismës. Ky koalicion mbetet bosht i opozitës në vend dhe këtë opozitarizëm, këtë kundërshtim për gjendjen në vend, e kemi shprehur dhe do ta shprehim edhe në të ardhmen me protestë. Protesta e 14 majit ishte dëshmi se ky opsion opozitar e ka fuqinë e vet, e ka përkrahjen e vet dhe besimin e qytetarëve. Pra jemi të kënaqur me pjesëmarrjen masive të qytetarëve, por edhe me gatishmërinë që këtë kundërshtim ta vazhdojmë?

 

Lajm: Si mbeten raportet me partnerin e deridjeshëm opozitar, Vetëvendosjen. Ka gjasa blloku opozitar sërish të zgjerohen dhe të kthehet koalicioni VAN?

 

Haradinaj: Ne kemi interes të koordinimit të ndërsjellë si opozitë, me qenë se shqetësimet janë të gjithë shoqërisë, pra nuk e përjashtojnë askënd. Por kemi vazhduar një rrugëtim me qëndrueshmërinë tonë opozitare. Tani nuk mund të prejudikoj se si mund të rrjedhin këto raporte, ose ky partneritet potencial, por ne nuk do ta ndalemi në projektin që kemi filluar me Nismën. Është një projekt që e ka fituar besimin jo vetëm të Aleancës dhe të Nismës, por ka një besim më të gjerë. Pa marrë parasysh spektrin politik, ne mendojmë se në protestën e 14 majit ka pasur edhe anëtarë, ose edhe zyrtarë të shumë partive tjera, në mesin e të cilëve nga PDK, LDK, por edhe të Vetëvendosjes. Pra vazhdimi ëhstë në emër të gjithëve, projekti ynë është në emër të gjithëve dhe ne mirëpresim angazhimin e secilit.

 

Lajm: Vazhdimisht paraqiten informacione për gjoja kyçjen tuaj në koalicionin qeveritar. Sa janë serioze këto informata dhe cilat janë gjasat që AAK të bëhet pjesë e Qeverisë?

 

Haradinaj: Këto janë ato mënyrat e dobësimit të opozitës dhe ato goditjet që i bëhen opozitës dhe kundërshtimit opozitar. Kuptohet që këto nuk janë të vërteta, sepse angazhimi ynë dhe qëndrueshmëria jonë deri në ndryshim është e palëkundur. Pra nuk bëhet fjalë për ndonjë kësi lloj marrëveshje me asnjë parti në pushtet, sepse angazhimi ynë mbetet për ndryshim deri në ndryshim dhe jemi të vendosur në këtë.

 

 

Lajm: Shpeshherë për ju, si dhe për vëllaun tuaj Daut Haradinaj, paraqiten informacione se gjoja jeni duke organizuar grupe që duan të destabilziojnë Maqedoninë. Cila është prapavija e këtyre spekulimeve sipas jush?

 

Haradinaj: Ne bashkëndjejmë me shqiptarët e Maqedonisë, me bashkëkombësit tanë dhe ky interesim për gjendjen atje është legjitim. Ne nuk kemi qenë të përfshirë as në të kaluarën, as tani e as në të ardhmen, në çfarëdo veprimtarie luftarake. Tashmë po shihet se problemi nuk është te involvimet as nga Kosova as nga dikush tjetër, por është mënyra e qeverisjes së vendit. Unë mendoj se pushteti në Shkup i korruptuar dhe i kriminalizuar, kërkon fajtorë, ose kërkon arsye se pse e ka një gjendje të keqe në vend. Unë mendoj se gjendja buron pikërisht te mënyra e qeverisjes në vend, pra te pushteti i korruptuar dhe i kriminalizuar, i cili poashtu i ka diskriminuar shqiptarët.

 

LAJM: Si i vlerësoni protestat në Shkup, a mendoni se opozita shqiptare në Maqedoni po bën hapat e duhur dhe në mënyrë të duhur po zhvillon betejën kundër pushtetit që siç thatë, po diskriminon shqiptarët?

 

Haradinaj: I përshëndesim të gjitha organizimet qytetare për mospajtim me një gjendje që nuk është e mirë. Mendojmë se kjo është diçka e mirë dhe e dobishme për një shoqëri. Ajo që na shqetëson për shqiptarët në Maqedoni është ajo energji negative mes veti dhe mendoj se kjo është e dëmshme për pozitën e shqiptarëve atje. Apeli im është që megjithatë ata të kenë parasysh mundësinë e një oferte të përbashkët në fund. Pra angazhimi për ndryshimin e gjendjes, angazhimin për krijimin e rrethanave, të qëndrueshme në demokracinë e Maqedonisë është angazhim legjitim i të gjithëve dhe ne i përkrahim në këtë. Mirëpo do të ishte në interes të shqiptarëve që ta zëmë pas zgjedhjeve, të gjitha partitë shqiptare të ofertojnë së bashku për qeverisje, së paku për një mandat, pa e dëmtuar demokracinë parazgjedhore, por pas zgjedhjeve t’i bashkojnë të arriturat zgjedhore dhe të jenë të gjithë së bashku.

 

Lajm: Pas ngjarjes së Kumanovës, ju keni qenë njëra ndër adresat e preferuara ku janë drejtuar gazetarët dhe mediumet, duke kërkuar sqarime se çka ndodhi dhe si ndodhi. Për këtë keni folur disa herë, por çka mund të thoni tani kur ka kaluar më tepër se një vit nga rasti?  

 

Ramush Haradinaj: Nuk kemi informata të sakta se si ka ardhur deri te Kumanova dhe pse ndodhi. Mirëpo mendoj se është një konspiracion pikërisht i këtyre pushteteve të korruptuara dhe të kriminalizuara për të pastruar veten. Na janë dhimbsur ata djem shqiptarë, djem që kanë familje, prind dhe fëmijë, e që kanë qenë djem me rrugë të lavdishme të lirisë. Na janë dhimbsur shumë. Ajo që na intereson është fakti se ne Maqedoninë e kemi vend fqinj, e respektojmë si vend  fqinj dhe dëshirojmë të shohim atje një qeverisje dhe demokraci stabile. Duam t’i shohim shqiptarët me të drejta të veta, si popull i barabartë në shtetin e tyre, në Maqedoni. Prandaj jemi kundër të gjitha këtyre inskenimeve dhe nuk i mirëpresim veprimet dhe inskenimet e këtilla.

 

Lajm: Thatë se në Kumanovë u vranë djem me të kaluar të lavdishme. Si i komentoni spekulimet që paraqiten se ata kanë pranuar shuma të caktuara parash, për të marrë pjesë në skenarin e Kumanovës?

 

Haradinaj: Ato janë informata të paverifikuara dhe në kuadër të spekulimeve. Ne nuk i dimë këto rrethana në Kosovë, por ajo që di unë është rruga e lavdishme e tyre për lirinë e Kosovës, gjatë luftës në Kosovë. Shumica prej tyre kanë qenë luftëtarë të aftë dhe është e dhimbshme me i humbur në këtë mënyrë.

 

Lajm: Cili është mendimi juaj për Marrëveshjen e Ohrit. Sa ka gjasa të implementohet ajo që nuk është implementuar 15 vite nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje?

 

Haradinaj: Unë nuk jam ndonjë ekspert i mirë që e njeh këtë marrëveshje. Mendoj se lidershipi i atëhershëm shqiptarë, i U:K-së së Maqedonisë, bëri disa nxitime që atëherë, nxitime që janë konsumuar përmes kënaqësisë në pushtet dhe përmes disa përfitimeve më tepër materiale që i sjell pushteti, e kanë humbur përqendrimin në atë që është kryesore – pozita e shqiptarëve në Maqedoni. Për këtë arsye, vetvetiu ende hetohet një diskriminim i shqiptarëve në Maqedoni.

 

Lajm: Ju kanë pyetur shumë herë, por nëse mund të na flisni edhe njëherë lidhur me raportet tuaja me subjektet shqiptare të Maqedonisë? A ka ndryshuar diçka në këto raporte?

 

Haradinaj:  Ne mbajmë komunikim me Partinë Demokratike Shqiptare, të kryesuar nga z. Menduh Thaçi. Kjo vjen edhe nga orientimi partiak, sepse jemi qendër e djathtë, mirëpo jemi të hapur për komunikim me të gjitha partitë dhe gjithë udhëheqësit e atjeshëm politikë. Ata janë shqiptarë, janë njerëz tanë dhe jemi të hapur për komunikim.

 

Lajm: Një kohë keni pasur raporte të afërta me BDI-në dhe me kryetarin e saj, Ali Ahmeti.

 

Haradinaj: Ato raporte kanë buruar nga koha e luftës në Kosovë, sepse me shumicën kemi qenë edhe kolegë dhe bashkëpunëtorë. Me kalimin e kohës, ne nuk u kuptuam më tutje në rrugëtim dhe ndodhi një largim, ose si ta quajë distancim në komunikim.

 

Lajm: Cila është porosia juaj në këtë intervistë për lexuesit tanë jo vetëm në Maqedoni, por edhe më gjerë. Shekulli 21 filloi me një parashikim optimist se do të jetë shekulli i shqiptarëve. Pas gjitha zhvillimeve jo mjaft pozitive që po ndodhin, a guxojmë që edhe më tutje të jemi njësoj optimistë?

 

Haradinaj: Po, po… Këto janë dhimbje të tranzicionit, janë dhimbje të kalimit nga situata në situatë. Megjithatë shqiptarët janë më mirë se ;do herë tjetër deri tani: shqipëria është anëtare e NATO-s dhe në procesin e sipërm të anëtarësimit në BE, Kosova ka avancuar sepse megjithatë jemi shpallur shtet i pavarur, kemi një MSA që është në zhvillim të sipër, kemi një pozicion të avancuar ndërkombëtarë, sepse jemi njohur nga njëqin e sa shtete të botës, kurse mendoj se përmirësime do të ketë edhe për gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë. Kuptohet se ne nuk pajtohemi në masë të madhe me gjendjen ekzistuese, por prapë se prapë mendojmë se këto gjendje janë evolutive, prandaj pres që të avancohemi edhe më tepër.

Loading...