Presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar si “ditë historike” për Republikanët zgjedhjet për Senat dhe Kongres të mbajtura dje, ku gjatë konferencës me gazetarë në Shtëpinë e Bardhë nuk hezitoi të grindet dhe të akuzon gazetarin e CNN, Jim Acosta, të cilin e quajti “lajme të rreme”.

Demokratët kanë arritur ta rikthejnë kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve dhe pritet të fitojnë 238 ulëse karshi Republikanëve, derisa përfaqësuesit e partisë së presidentit amerikan kanë ruajtur kontrollin në Senat, transmeton Telegrafi.

Gjatë konferencës për media Trump ia atribuoi vetes fitoren e Republikanëve, dhe në momentin që filluan pyetjet e gazetarëve ai filloi të grindet me gazetarin e CNN, Jim Acosta, i cili këmbëngulte për një përgjigje lidhur me çështjen e emigrantëve në Amerikën Qendrore që e ka “quajtur pushtim”.

Trump mohoi pretendimet se ka përdorur karvanin e emigrantëve që ishin nisur në vijën kufitare SHBA-Meksikë, për t’i fituar zgjedhjet e së martës.

“Pse nuk më lejoni të udhëheq vendin, e ju ta udhëhiqni CNN-in dhe nëse e bëni mirë punën performanca do t’ju përmirësohet”, dëgjohet Trump duke i thënë gazetarit të CNN.

Por, gazetari tentoi sërish t’ia bëjë një pyetje tjetër veprim ky që është refuzuar nga presidenti, kurse gazetari nuk pranonte t’ua dorëzonte mikrofonin të tjerëve, duke këmbëngulur që t’i përgjigjet në pyetjet.

“CNN duhet të turpërohet që ju punoni për ata. Jeni shumë i pasjellshëm”, ka thënë Trump me një ton të ashpër, dhe sikur kjo të mos i mjaftonte iu drejtua gazetarit se CNN prodhon “lajme të rreme”. /Telegrafi/

Loading...