Unë kam dhënë më shumë kontribut se Ali Ahmeti

Kryetari i Forumit Ndërkombëtarë për të Drejtat e Njeriut (IGFM), Idriz Sinani në një prononcim për INA ka komentuar fyerjet e Ali Ahmetit ndaj mediave, analistëve dhe intelektualëve shqiptarë, gjatë një tubimi të mbajtur me rininë e BDI-së në Tetovë. “Ali Ahmeti nuk po gjen fjalë dhe etiketime ndaj mediave, gazetarëve dhe shoqatave shqiptare. Ai këtë ves të keq shpifës po e nxjerrë tash në sipërfaqe. I bëjmë me dije Ali Ahmetit se ato media që po e kritikojnë janë djemtë më të pastër dhe më të çiltër të kombit, që me halle e me gjithë sakrificë po mbajnë ato dritare të informimit. Ata janë djemtë dhe vajzat që kanë dinjitet dhe po godasin të keqen”, theksoi Sinani. Sinani thotë se është e turpshme që të hapësh luftë me mediat dhe gazetarët, e të gjithë ata që kërkojnë të thuash të vërtetën, të pranosh humbjen e betejës tënde dhe të shkosh dikund në pakthim, sepse siç thotë kryetari i IGFM-së dëmet janë shumë të mëdha dhe të pariparuara. “Vetë njerëzit e tu po e pranojnë dështimin dhe të ikën edhe ata që të besuan më shumë. Po i vjen era tradhëti dhe disfatë, andaj tërbimi jot po del në sipërfaqe. Pse nuk jua mban të godasni Gruevskin dhe Mijallkovin, dhe mediat e tyre alla – Llatasa. Turp të keni, sepse edhe unë jam një nga aktivistët më të dalluar në diasporë dhe nuk ke dhënë as edhe një kontribut më shumë se unë. Fytyra jote e vërtetë po del dhe ti nuk ke ku shkon. Do të japësh llogarinë me gjithë kriminelët e tu. Në vitin 1994 në një protestë para OKB-së, bashkë me Ali Ahmetin theksuam se shqiptarët po diskriminohen, vriten, burgosen. Ne u zotuam për këtë dokument, por ti e tradhtove, se sot e 15 vjet je në pushtet e gjitha ato të zeza po i ndodhin shqiptarëve”, thekson Idriz Sinani. Ai thotë se Ahmeti nuk ka sqaruar “për Sopotin, Mostrën, bombat në Kumanovë dhe skenaret e arrestimeve dhe dënimeve të djemve më të mirë, nuk ke sqaruar për Brodecin, Harun Aliun, burgosjen e mbi 100 ish-ushtarëve të UÇK-së, për fatin e dhjetëra ish-komandantëve dhe ish-ushtarëve që janë arratisur dhe që disa heshtin se mund ti përgaditësh skenare për raste të ndryshme dhe ti çosh në burg, sepse këtë e ke dëshmu se din ta bësh me njerëzit e tu”. Shqiptarët pritën lirinë dhe jo humnerën dhe të keqen, apo dënimet me mbi 1 mijë vjet burg për dhjetëra raste, thekson në fund kryetari i IGFM-së

Loading...