Universiteti si mbulesë e krimit

Zeqirja_IbrahimiIdeja e universitetit shqip në Shkup do të ishte shumë fisnike po qe se nuk do të ishte vetëm nismë, por edhe akt dhe vendim qeveritar.

Ideja e universitetit shqip në Shkup do të ishte shumë e rëndësishme nëse nuk është njësoj si marketingu për ndërtimin e objektit të Institutit, që pas fotografive të bëra në shkurt të vitit 2014 deri tash nuk është bërë asgjë.
Ideja e universitetit shqip në Shkup do të ishte shumë e bukur nëse ajo nuk bëhet që me të të mbulohen vrasjet dhe krimet e partisë shqiptare në pushtet, që nismën për universitet e përdor për ta defokusuar vëmendjen e opinionit nga krimet e kësaj partie.
Ideja e universitetit shqip në Shkup do të ishte shumë bujare po qe se me të nuk synohet të na hidhet hi syve për rastin e Kumanovës, për t’i fshehur zyrtarët e partisë në pushtet, që e inskenuan dhe realizuan atë skenar.
Ideja e universitetit shqip në Shkup do të ishte shumë e ndershme nëse para kësaj nuk devalvohej USHT-ja në këtë gjendje: më shumë se gjysma e mësimdhënësve në të janë me kontratë në vepër, sepse po ky ministër i Arsimit e pengon punësimin e tyre në USHT, financimi për USHT-në është dukshëm më i vogël se secili universitet maqedonas në vend, ndërsa partizimi është në kulm.
Ideja e universitetit shqip në Shkup do të ishte shumë e madhe nëse nuk bëhet me qëllim që shumë aktivistë të Partisë të rehabilitohen aty si profesorë; njerëz që nuk kanë botuar asnjë tekst, madje as në portalet partiake, nesër mund të bëhen ligjërues në këtë universitet. Si i tillë, ai do të ishte vetëm një reprizë e zbehtë e asaj që sot është USHT-ja.
Ideja e universitetit shqip në Shkup do të ishte me përmasa historike nëse nuk përdoret nga partia shqiptare në pushtet për ta ngritur veten nga kjo plagosje e rëndë që i ka ndodhur nga krimi i brendshëm, andaj universitetin dëshiron ta përdor si injeksion kundër kancerit KRIM të metastazuar në trupin e saj.
Askush nuk duhet dhe nuk mund të jetë kundër universitetit shqip në Shkup, sepse përveç rëndësisë kombëtare, universiteti, në thelb, si një universitas magistrorum et scholarium – bashkësi e arsimtarëve dhe nxënësve, është institucioni më i lartë edukativ dhe arsimor i një kombi. Fundja kjo nuk është ide që e ka shpikur dikush sot – ajo ka vazhdimësi historike që nga gushti i 1912-tës e deri në Fakultetin Pedagogjik të kohës së PPD-së më 1997. Por, secili nga ne duhet të jetë kundër atyre që duan përmes universitetit ta mbulojnë krimin, vrasjet e shqiptarëve, malverzimet dhe bizneset e errëta.

Edhe një gjë: partia në pushtet nuk është aty për të na thënë se ka iniciativë, por meqë shtiret se është në pushtet – e ka ministrinë e Arsimit, ose le ta themelojë universitetin ose le të heshtë! Ajo nuk është në pozitë për të shitur ide, por për t’i realizuar ato. Nëse deri në mars të vitit 2016 ky universitet nuk fillon të punojë, do ta konsiderojmë mashtrimin e radhës me përmasa të tradhtisë.

Loading...