Këto ditë u paraqitë fotografia e pjesëtarëve të Ushtrisë serbe të cilët në uniforma zyrtare vendosin kurorë para përmendores së komandantit çetnik dhe bashkëpunëtorit të Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, kriminelit të luftës Dragoljub Drazha Mihailoviq.
Ushtria e Serbisë vendosë kurorë para shtatores së shërbëtorit kryesor të Hitlerit në Ballkan
Edhe pse në Ministrinë e mbrojtjes së Serbisë të udhëhequr nga Aleksandar Vulin thonë se ushtarët serbë këtë e kanë bërë “me vetiniciativë”, gazeta serbe “Blic” merr vesh se për gjithë këtë është informuar dhe është marrë pajtimi nga Kryeshefi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë serbe Ljubisha Dikoviq.

Në ditët kur në botë shënohet fitorja ndaj fashizmit, madje katër autobusë të Ushtrisë së Serbisë, në të cilat kishin qenë rreth 200 ushtarakë, ka shkuar më 5 maj në Ravna Gora, për të vendosur kurorë te shtatorja e komandantit të Ushtrisë Atdhetare Jugosllave, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore kishte luftuar në anën e fashizmit, kur edhe ka kryer krime të papara lufte sidomos ndaj popullatës civile boshnjake, kroate dhe shqiptare, por edhe ndaj serbëve dhe malaziasve të cilët luftonin në anën e Ushtrisë Nacional Çlirimtare të Titos.

Në fillim, Ministria e mbrojtjes ka heshtur, për të demantuar më vonë se ushtarët serb kanë marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të Lëvizjes së Ravna Gorës, kur çetnikët serb lidhën traktat me nazistët e Hitlerit. Mirëpo, më vonë kabineti i Aleksandar Vulinit jo zyrtarisht kishte konfirmuar se fotografia e publikuar në rrjetet sociale është autentike, por se pjesëtarët e US e kanë nderuar komandantin çetnik “me vetiniciativë”.

Mirëpo, është e qartë se në një tubim të tillë vështirë se mund të gjenden në kohë të njëjtë pjesëtarët e këmbësorisë, aviacionit dhe të gardës (siç shihet në foto), dhe që askush t’i mos organizojë.

“Leje për këtë ka dhënë Ljubisha Dikoviq”, kanë thënë për “Blic” një ditë më vonë disa bashkëbisedues të informuar mirë.

Këtë përshtypje ka edhe Aleksandar Radiq, analist ushtarak.

“Sipas fotografive shihet qartë se bëhet fjalë për nderim zyrtar, që do të thotë se kjo nuk kishte guxuar të ndodhë pa lejen e kreut ushtarak, gjegjësisht të Shtatmadhorisë, shpjegon Radiq.

Sipas burimeve të gazetës, këtë e ka ditur edhe ministri i mbrojtjes Aleksandar Vulin, mirëpo në Ministrinë e mbrojtjes e mohojnë se Vulin e ka ditur për shkuarjen e ushtrisë në Ravna Gorë për ta nderuar kriminelin Drazha Mihailoviq.

“Do të vërtetohet se kush, sipas lejes së kujt dhe përse ka shkuar ta nderojë Mihajloviqin në Ravna Gora”, pretendojnë për “Blic” zyrtarët e ministrisë së Vulinit./Insajderi.com.

Loading...