Forcat e Armatosura kanë përfunduar punimet për përmirësimin e infrastrukturës në disa fshatra të Njësisë Administrative Komsi të Bashkisë së Matit.

Në fshatin Muzhakë, Forcat e Armatosura kanë hapur një kanal kullues me qëllim shmangien e përmbytjeve të përvitshme të një pjese të këtij fshati dhe tokave bujqësore përreth tij. Kanali i gjatë rreth 1.3 km dhe i bllokuar prej thuajse 40 vitesh, ishte një kërkesë e hershme e banorëve të këtij fshati dhe Prefekturës së Dibrës.

Në përfundimin e punimeve atje, ishte e pranishme edhe ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, e cila vlerësoi punën e Forcave të Armatosura dhe rëndësinë që hapja e këtij kanali ka për banorët.

”Ministria e Mbrojtjes dhe FA kanë punuar pa reshtur që me marrjen e kërkesës për të hapur këtë kanal, i cili do të mundësojë mospërmbytjen e të gjithë kësaj zone këtu, nga shirat apo përmbytjet, që janë më shumë se frekuente në këtë zonë.

Falë kësaj pune të jashtëzakonshme në kohë rekord, këto fshatra përreth, sidomos Muzhaka, do të kenë mundësinë që ujin ta përdorin për të mbjellat dhe jo për ta hequr nga shtëpitë e tyre kur bie me furi.

Ndërkohë, FA kanë bërë edhe një rrugë rreth 1 km për të mundësuar lëvizjen e fshatrave përreth, me qëllim lehtësimin e çuarjes së fëmijëve në shkollë, e shkuarjes së njerëzve për nevoja të urgjencës në qendra shëndetësore, apo më shumë se kaq” – tha ministrja Kodheli, e cila theksoi edhe vendosmërinë e Forcave të Armatosura për t’i çuar deri në fund punët që marrin përsipër.

Po në fshatin Muzhakë të Njësisë Administrative Komsi, Forcat e Armatosura kanë hapur edhe një rrugë prej gati 1 km, e cila më parë ishte një shteg dhe përshkohej vetëm në këmbë.

Gjithashtu, në këtë njësi administrative, Forcat e Armatosura bënë të mundur sistemimin dhe hapjen e rrugës prej rreth 3.5 km të fshatit Frankth, i cili shpesh izolohej për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Gjatë bisedës me banorët e këtij fshati, ministrja Kodheli i siguroi ata për gatishmërinë që Forcat e Armatosura do të vijojnë të kenë sa herë të jetë e nevojshme.

Gjatë qëndrimit të saj në Mat, ministrja Kodheli mori pjesë edhe në hapjen e Zyrës së Mobilizimit në këtë zonë.

Zonja Kodheli përsëriti nga Burreli nevojën që shoqëria ka për përvojën dhe aftësitë e ushtarakëve në rezervë, por edhe vlerësimin që Ministria e Mbrojtjes ka për ta, sidomos gjatë situatave të emergjencave civile.

“Nevoja e qytetarëve për të pasur pranë sidomos në raste emergjencash, përmbytjesh, kërkim-shpëtimi, rrëshqitje dheu, rreziku për jetën, prezencën fizike të një numri gjithmonë e më të madh ushtarakësh, na e ka bërë të nevojshme kërkimin e ushtarakëve rezervistë, për të pasur më shumë prezencën e tyre, për të pasur më shumë pranë dijet e tyre, mënyrën se si ata e kanë ndarë eksperiencën me të tjerët, pse jo, për të qenë mësim për ushtarakët e rinj”- tha ministrja Kodheli, e cila premtoi mbështetje të mëtejshme për strukturat ushtarake që përballen me rastet e emergjencave.

Zyra e Mobilizimit në Burrel është e vendosur në mjediset e Detashmentit të Mbështetjes Rajonale në këtë qytet, çka pritet të sjellë një bashkëpunim më të ngushtë mes ushtarakëve aktivë dhe atyre në rezervë gjatë situatave të emergjencave civile

Loading...