Valixhet, pengesë për të mos vizituar Shkupin

Udhëtarët që vijnë me autobus apo me tren në Shkup, mund të ballafaqohen me një problem jo të vogël. Ata nuk kanë ku t’i lënë valixhet, poqese dëshirojnë të kalojnë disa orë jashtë objektit të stacionit, që është i përbashkët edhe për autobusët dhe për trenat. Askund nuk ka tabelë, shenjë apo ndonjë tregues që jep informacion në lidhje me ndonjë vend për t’i lënë çantat e udhëtimit. Udhëtarët rrëfejnë përvoja të ndryshme, por që të gjithë kanë të përbashkët përvojën jo të mirë, sidomos për ata që vijnë për herë të parë në Shkup dhe që duan të kalojnë disa orë në qytet për të vizituar vendet kulturore-historike, shkruan gazeta KOHA.

“Pas disa vitesh erdha nga Australia në Manastir tek të afërmit e mi dhe kemi rënë dakord me nënën time edhe ajo të vijë nga Sllovenia dhe pastaj të kthehemi bashkë edhe me motrën time për të shkuar në pushime. Pas disa ditësh qëndrim në Manastir me shokë, erdhëm me makinë në Shkup, na la në stacionin e trenit në mëngjes ndërkaq treni për në Lubjanë duhej të nisej në ora 22 të mbrëmjes. Ju thashë të linim valixhet dhe të shëtisnim nëpër qytet që ta shihnim qytetin e Shkupit si është ndërtuar tani, dhe më pas në ora dy ose tre të shkojmë të shohim të afërmit në Kisella Vodë. Por isha e habitur kur më thanë në stacionin hekurudhor se nuk kisha ku të lija valixhet. Pastaj pyeta në stacionin e autobusit dhe ata më thanë se mund t’i lija për 50 denarë për një valixhe. Përsëri u habita nga kjo që dëgjova, është thjesht një shërbim që i duhet udhëtarëve”, rrëfen një udhëtare për gazetën tonë.

Ndërkohë, nga “MZ-transport- Hekurudha” thonë se dhoma ku mund të lihen çantat e udhëtarëve për një kohë të gjatë nuk funksionon si rezultat i mungesës së stafit. Kjo dhomë ka qenë aktive para 10 vitesh, por që punohet për riaktivizimin e saj.

Por, nuk janë të paktë ata udhëtarë që më prioritare e shohin itinerarin trenave. Ata shprehen të mllefosur se shpesh herë kthehen nga sporteli pasi merrnin vesh se nuk ka tren në qarkullim deri në ndonjë destinacion të dëshiruar. Kjo ndërprerje e qarkullimit ishte më evidente vitin e kaluar për shkak protestave për mosmarrje të rrogave që bëheshin nga ana e punëtorëve.

“Nuk jam aspak i kënaqur nga ky shërbim. Disa minuta pres për të blerë biletën por nuk është askush, edhe pse kanë pauzë nuk shkruan se kur fillon dhe kur u mbaron pauza. Erdha për të provuar trenat e ri, mirëpo me sa duket nuk kam durim ende të pres. Me këtë shërbim do të humbim edhe ato pak vizitorë që vijnë në Maqedoni“ , thotë Mile Spasovski, udhëtar nga Shkupi.

Ky stacion vizitohet edhe nga vizitorë të huaj të cilët për shkak shërbimit joprofesional duhet që shpesh herë të drejtohen tek stacioni i autobusëve.

“Ne nuk dimë as edhe gjuhën angleze mirë. Kemi disa minuta që po kërkojmë ndihmë për të na treguar oraret e udhëtimit për në Beograd. Na e shkruan në një fletë një orar mirëpo nuk e kuptoj sa duhet, për cilën ditë është. Po shkoj të gjej dikë për të më shpjeguar ose të gjej dikë të më ndihmojë”, thotë për gazetën tonë Khoa Joa, një turiste nga Kina e cila kishte ardhur për të vizituar Maqedoninë.

Ajo që mbetet si ide për t’u realizuar është se këto dhoma të bagazheve duhet të jenë të disponueshme në të gjitha stacionet e hekurudhave dhe autobusëve të qyteteve, dhe jo vetëm në Shkup. Ekzistenca e tyre do ta bëjë më të lehtë udhëtimin për udhëtarët. (koha.mk)

Loading...