“Vargje në verandë”, shkrimtarët e rinj i ndanë fjalët e shpirtit me dashamirët e letërsisë

Fjalët e mbushura me plot frymë pozitive nga shpirti dhe ndjenjat e pastra të artit letrar të qëndisura bukur, mbizotëruan në ngjarjen letrare “Vargje në verandë”, në “Librarinë e Çarshisë” në Shkup, i organizuar dhe prezantuar nga disa shkrimtarë të rinj nga Maqedonia ku i lexuan poezitë dhe prozat e tyre për të gjithë dashamirët e letërsisë.

“Këto takime letrare kanë dëshmuar faktin se të rinjtë shkruajnë për qejf, sepse gjithmonë kemi pasur numër të madh të të rinjve që janë paraqitur për të marrë pjesë në këso ngjarje. Pas dy viteve po takohemi në verandën e “Librarisë së Çarshisë” duke e konceptuar këtë ngjarje pak më ndryshe se ngjarjet e tjera, gjithnjë me tendencën që t’u ikim klisheve organizative”, tha njëra ndër organizatoret e ngjarjes dhe pjesëmarrësja si poete, Arlinda Baftiu.

Në një atmosferë shoqërore, 9 shkrimtarë të rinj recituan nga dy shkrime letrare. Fillimisht i recituan vargjet e tyre, ndërkaq për t’u bërë ky event më kreativ, organizatorët kishin përgatitur një surprizë të paparalajmëruar, por të këndshme për pjesëmarrësit.

Pasi lexonin poezinë apo prozën autoriale, ato më pas zgjidhnin një prej 9 luleve që mbanin një shkrim të njërit prej shkrimtarëve pjesëmarrës. Kolegu e recitonte shkrimin e kolegut, ndërkaq më pas duke i uruar për suksese të mëtutjeshme, letrën e mbante lexuesi, ndërkaq lulja në shenjë respekti i dhurohej pronarit të shkrimit./Portalb/

 

Loading...