Nuk iu mjaftoi që vrasjen ta kryejnë vetëm me goditje të çekanit, por pasi e lidhën dhe e goditën në kokë, ia dogjën edhe trupin. Kjo vrasje ka ndodhur më 2009, dhe që nga ajo kohë, të akuzuarit ende ballafaqohen me gjykime. Në Gjykatë, të mërkurën u dëgjuan dy ekspertë mjekoligjorë. Arsim Gërxhaliu, si mjeku që e kishte kryer autopsinë e viktimës, Naim Hajrizi, dhe eksperti i ADN’së, Fatmir Ademi.
Vrasja e Naim Hajrizit kishte ndodhur në prill të 2009’s në Lipjan. Shkalla e parë i pat dënuar dy persona, tash të burgosur, Gëzim Ratkocerin dhe Osman Spahiun, me 60 vjet burgim në vitin 2015, por pas ankesave të palëve mbrojtëse, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

Gazeta Express ka përcjellë seancën e së mërkurës, ku u dëgjuan dy ekspertët mjekoligjorë, Arsim Gërxhaliu, që e kishte bërë autopsinë e viktimës, dhe Fatmir Ademi, ekspert i ADN’së.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Bajram Tmava, e lexoi përmbajtjen e raportit që Gërxhaliu e kishte përpiluar pas kryerjes së autopsisë.

Në përmbledhjen e të gjeturave të mjekut ligjor, thuhet se viktima ka vdekur nga plagët e fituara nga goditjet me mjet të fortë, kryesisht në kokë. Por, me sa duket, vrasësve nuk iu mjaftoi ta lënë me kaq. Ata ia dogjën edhe trupin tani të ndjerit, Naim Hajrizit.

Gërxhaliu, i pranishëm në sallë, tha se tek i ndjeri ka gjetur shenja të goditjes me dy mjete të forta. Goditjet e para ishin në formë shiritore, kurse të dytat tregojnë se viktima është qëlluar me çekan, për shkak se ato kishin formë të rrumbullakët të goditjes. Ai gjithashtu tha se viktima ka qenë gjallë para se t’ia digjnin trupin, por me ndjenja minimale për jetën.

Për konstatimet e dhëna në vitin 2015, Gërxhaliu tha se iu qëndron prapa, dhe se ato janë të përshkruara me saktësi shumë të madhe, bazuar në dëmtimet të cilat i ka vërejtur tek viktima.

Por, Gërxhaliu tha se edhe po sikur të mos i digjej trupi viktimës, ai do të kishte vdekur nga plagët e marra prej goditjeve të shumta, të cilat ia kanë çarë kafkën Naim Hajrizit.

“Djegia vetëm e ka përshpejtuar vdekjen, edhe me lëndime të cilat i ka marrë do të kishte vdekur”, tha Gërxhaliu.

Ai gjithashtu tha se Naim Hajrizi i kishte pasur edhe këmbët e lidhura me një tel të butë. Një tel të ngjashëm, policia e kishte gjetur në vendin e ngjarjes.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzon Retkocerin dhe Spahiun, se më 29 prill të vitit 2009, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart. Pasi e kishim vrarë, sipas aktakuzës, të akuzuarit e kishin dërguar të ndjerin në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët e kishin djegur trupin e të ndjerit.

Eksperti tjetër i ADN’së, Fatmir Ademi, tha se nga gjësendet e sjella nga policët hetues në laborator, kishin konstatuar se kanë gjetur shenja të gjakut dhe se ato ishin të tani të ndjerit Naim Hajrizit.

Mirëpo, i pyetur nga ana e palës mbrojtje se në çfarë forme këto mostra arrijnë në laborator për analizë, Ademi tha se ato zakonisht sillen nga hetuesit policorë dhe janë të mbyllura, gjithashtu ato janë të përshkruara me shifra dhe me përshkrim se çka janë dhe se ku janë marrë.

Dy të akuzuarit që ishin prezentë në sallë dhe po e vuajnë dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë, Gëzim Ratkoceri dhe Osman Spahiu, pyetën ekspertin se ata policë a kanë sjellë ndonjëherë tesha të tyre për ekspertizë, pasi të dy thanë se policia ua kishin marrë rrobat, pështymen dhe nga një fije floku.

“Nuk është sjellë asgjë prej të akuzuarve në laborator për ekzaminim, bile nuk jemi as në dijeni se nga ata është marrë diçka”, tha eksperti Ademi.

Ratkoceri dhe Osmani thanë se policia ua kishin marrë xhaketat, pantallonat, të cilat i kanë pasur të veshura, pështymën dhe qime të flokëve.

“Këto nuk i kemi ekzaminuar ngase nuk janë sjellë në laborator, kjo konfirmohet edhe në bazë të zinxhirit të ruajtjes dhe urdhëresës së gjykatës”, tha eksperti i ADN’së.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në korrik të vitit 2015 kishte shpallur të fajshëm Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun dhe i ka dënuar me nga 30 vjet burg për vrasjen e Naim Hajrizit në prillin e vitit 2009.

Por, pas pranimit të ankesave të mbrojtësve dhe të prokurorit dhe pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ktheu në rigjykim çështjen.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë kishte shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar siç obligojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

 

Loading...