LifeStyle

Vazhdon suksesi, deputetët gjermanë mbeten të mahnitur me specialitetet shqiptare (Foto)

shija

 

Magjia e kuzhinës shqiptare, me moton “Shije Shqiptare” së fundmi është prezantuar në Manhajm të Gjermanisë, në hotelin e klasit të parë Kleiner Rosengarten Hotel, pronë e biznesmeni shqiptar, Rolando Oparaku. Specialitetet e shefave të famshëm shqiptarë të kuzhinës, Faruk Neziri, Sokol Prenga, Altin Skerma dhe Përparim Babaliu, si dhe të pastiçerit të njohur Naser Gashi, janë prezantuar para një publiku të përzgjedhur dhe me gusto të kulluar.

“Ishte një natë e lodhshme, por lodhja harrohet kur suksesi nuk mungon. Kjo darkë ishte me të vërtetë e mrekullueshme dhe jam i gëzuar që suksesi i Shijes Shqiptare shënon vetëm rritje. Kjo na motivon të vazhdojmë më të njëjtin elan”, thotë Faruk Neziri, shef kuzhine në restorantin La Perla në Grac të Austrisë, me prejardhje nga Çegrani i Gostivarit.

Shije Shqiptare është projekt që ka për qëllim prezantimin e kuzhinës shqiptare në vendet evropiane dhe botërore, duke bërë kombinim mes një Kuzhine të Re shqiptare, ku vihen ne vëmendje prodhimet tipike shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Lugina e Preshevës, Mali i Zi, Çamëria, dhe kuzhinës tradicionale të rishikuar.

I kënaqur nga prezantimi i këtij projekti në Manhajm të Gjermanisë shprehet edhe biznesmeni Rolando Oparaku.

“Patëm 60 mysafirë, e me prezencën e tyre na nderuan edhe deputeti i Bundestagut Nikolas Löbel, nga partia CDU e kancelares Angela Merkel, si dhe deputetja në parlamentin e Landit Baden-Württemberg, Helen Heberer, nga radhët e SPD-së. Përshtypjet e tyre ishin të mrekullueshme. Kjo më obligon mua si biznesmen që të vazhdoj edhe më fuqishëm të përkrah projektin Shije Shqiptare, por njëkohësisht apeloj deri te të gjithë biznesmenët shqiptarë të industrisë ushqimore që të përkrahin këtë projekt që sipas meje ka peshë kombëtare”, thotë për Gazetën Lajm, pronari i hotelit Kleiner Rosengarten Hotel, Rolando Oparaku.

Po cilat ishin specialitetet që u lanë aq shumë përshtypje mysafirëve, duke përfshirë edhe dy deputetët gjermanë?

“Darkën e hapëm me Supë dimri me kungull, specialitet nga Elbasani. Specialiteti i radhës ishte Oriz me Spinaq, i përgatitur në mënyrë siç përgatitet në Shalë të Bajgorës. Më pas servuam specialitetin me Groshë i njohur në Korçë dhe rrethinë si “Pllaqi”, si dhe me mish qengji të mbushur me grurë dhe elb , përgatitur nga shefi i kuzhinës në Restorant Kleiner Rosengarten, Altin Skerma . Ju falederoj per informazionet Vazhduam me Fileto levreku të tymosur, specialitet i përgatitur me Levrek nga Shiroka, për të përmbyllur me desert të përgatitur me Dardha Ujëse të sjellura enkas për këtë eveniment nga fshati Mramor i Kosovës”, thotë shefi i kuzhinës nga Shqipëria, Sokol Prenga.

Pastiçeri Naser Gashi, i cili profesionin e ushtron në Paris, flet për planet e ardhshme të këtij projekti.

“Ne nuk ndalemi këtu. Destinacioni i radhës do të jetë Tirana, kurse ftesat për promovim të Shijes Shqiptare shtohen vazhdimisht. Kemi një ekip i cili ka kapacitet për të prezantuar kuzhinën shqiptare jo vetëm në Evropë por edhe në mbarë botën dhe jam i sigurt se do të ja dalim”, thotë Hoxha.

Një problem serioz që po e përcjell në vazhdimësi ekipin e Shijes Shqiptare, është problemi i vizës Schengen me të cilin po përballet shefi i kuzhinës nga Kosova, Përparim Babalija, të cilit nuk po i mundësohet të jetë pjesë e eventeve të Shijes Shqiptare gjatë prezantimeve në vendet e BE-së. Institucionet kosovare nuk kanë bërë sa duhet për të evituar këtë problem. Nëse ky problem nuk tejkalohet së shpejti, ekipi i Shijes Shqiptare ka ndërmend të shprehë revoltën e vet me nnë mënyrë origjinale të protestës.

 

To Top