Vdiq dramaturgu Peter Shaffer, mjeshtri i dualizmit

Peter Shaffer, dramaturgu britanik, i cili me veprat “Equus” dhe “Amadeus” mori çmimin “Tony” eksploroi psikologjinë e mashkullit nëpërmjet ndërthurjes së ankthit të protagonistëve, vdiq të hënën në Country Cork në Irlandë. Ai ishte 90-vjeçar. Agjenti i tij Rupert Lord e ka konfirmuar vdekjen e tij.

Cilësohej si mjeshtër i dualizmit, një dramaturg klasik, i cili e distanconte veten nga djaloshi i zemëruar i gjeneratës së tij në dramat e strukturuara me elegancë, transmeton “Koha Ditore”.

“Sir Peter ka udhëtuar për në Irlandë për të festuar ditëlindjen e tij të 90-të me miq të ngushtë dhe të afërmit”, ka thënë Lord. E festoi ditëlindjen me 15 maj. Shaffer i cili jetoi në Manhattan për më shumë se 40 vjet, vdiq në bujtinën në Curraheen, distriktin jashtë Cork Cityt. I vlerësuar nga kritika dhe audienca në të dyja anët e Atlantikut, Shaffer zgjeroi reputacionin pas shndërrimit të dramave të tij në filma. Ai fitoi çmimin “Oscar” për përshtatjen në film që iu bë shfaqjes “Amadeus”, që flet për rivalitetin në mes të kompozitorit Antonio Salieri dhe Wolfgang Amadeus Mozart, kompozitorit të çmuar, dhuratat e mrekullueshme të të cilit tronditën Salierin dhe e mbushën me xhelozi derisa ai kuptoi ngarkesën e mediokritetit.

Si dramaturg, Shaffer ishte ambicioz, duke eksploruar në zhanre të ndryshme. Shfaqja e tij e parë në Broadway, “Fire Finger Exercise”, ishte dramë për vitet ’50, një rrëfim për një familje britanike me prindër të cilët kulturalisht nuk përputhen përderisa tutori i tyre gjerman sjell çarje emocionale. Kjo shfaqje i parapriu “The Privat Ear” dhe “The Public Eye”, që janë komedi njëaktëshe dhe përfshijnë romanca të njëanshme, ndërsa “The Royal Hunt of the Sun”, e çon ngjarjen në Spanjën e shekullit XVI. Në këtë shfaqje kanë luajtur Christopher Plummer në rolin e pushtuesit Francisco Pizarro dhe David Carradine si udhëheqësi i inkasve, Atahualpa.

Të gjitha këto shfaqje janë pranuar mirë nga publiku dhe kanë marrë vlerësime të mira nga kritika dhe u dhanë në Broadway për disa muaj. Kështu ndodhi edhe me komeditë tjera njëaktëshe, “Black Comedy” dhe “White Lies”, me të cilat Michael Crawford dhe Lynn Redgrave, debutuan në skenën e Broadwayt. Për shfaqjen “Equus” ai e gjeti rrëfimin te historia e një miku. Bëhet fjalë për një djalosh të qëndrueshëm britanik – djaloshi adoleshent i prindërve që kanë pengesa për shkak të besimit fetar – i cili me dhunë verbon një numër kuajsh që i ka nën mbikëqyrje pasi që tërhiqet nga një femër e re në ahur. Kuajt sillen vërdallë tyre gjatë tërë kohës duke i shikuar, të paktën në mendjen e djaloshit. Nga ai episod, shfaqja zhvillohet në një sherr intim në mes të djaloshit, Alan Stang dhe psikiatrit të tij Martin Dysart. Martesa e vetë psikiatrit vihet në sprovë për shkak të dyshimeve në efikasitetin e profesionit të tij dhe interesimi në historinë antike greke vetëm sa i shton dyshime marrëdhënies dhe reflektimit të mitit të historisë së veprës misterioze e të tmerrshme të djaloshit. Kjo shfaqje u dha në vitin 1973 në Londër dhe në tetor të vitit 1974 në Broadway me Anthony Hopkins si Dysart dhe Peter Firth ne rolin e Strangut. Atje u shfaq për gati tre vite, duke marrë edhe çmime “Tony” për shfaqjen më të mirë dhe regjisorin më të mirë. Megjithëse shfaqja u vlerësua – “mahnitëse” e kishte quajtur Walter Kerr – po ashtu pati edhe kundërshtime. Disa psikologë amatorë ofruan interpretime të ndryshme, duke përfshirë edhe atë se shfaqja flet për homoseksualitetin e mbyllur, ndërsa profesionistët u ankuan në portretizimin e profesionit të tyre.

Në “Amadeus” ngjarja zë vend në Vjenën e fundshekullit XVIII dhe fillimin e shekullit XIX. Shaffer mori përsipër misterin e gjeniut që në këtë rast na paraqitet vizionari muzikor i cili imagjinoi, elaboroi në mënyrë të mrekullueshme tërë kompozimet e tij, por që veten e prezantoi para botës si harbut dhe i shthurur e vetëshkatërrues. Shfaqja u dha në Teatrin Kombëtar në Londër në vitin 1979, nën regji të Peter Hall, me Paul Scofield si Salieri dhe Simon Callow si Mozarti. Një vit më pas me Ian McKellen dhe Tim Curry në rolet kryesore, Hall e inskenoi shfaqjen në Broadway, ku ky produksion fitoi pesë “Tony” dhe u dha për pesë vjet.

Peter Levin Shaffer u lind me 15 maj të vitit 1926 në Liverpool dhe u rrit në Londër ku babai i tij punonte në një zyre për patundshmëri. Bashkë me të vëllanë e tij binjak, Anthony, ndoqën shkollën “St. Paul’s School” në Londër deri në vitin 1944, kur nisën të punojnë në minierat e Yorkshire dhe Kentit për tre vite para se të përfundojnë shërbimin ushtarak. Në vitin 1947 Peter Shaffer fitoi bursë për në “Trinity College” në Cambridge, ku studioi historinë. Pas diplomimit në vitin 1950 vëllezërit publikuan “How Doth the Little Crocodile?”, romanin e parë në mesin e shumë të tjerëve që më pas i nxorën në pseudonimin Peter Anthony. Anthony Shaffer, i cili studioi juridikun, u bë dramaturg i njohur, duke fituar “Tonyn” e parë, para vëllait të tij me shfaqjen “Sleuth”, në vitin 1971, e cila pati 1 mijë e 222 repriza.

Peter Shaffer pasi që la Cambridgein u shpërngul në New York ku punoi në librari para se të kthehej në Angli. Shfaqja e tij e parë, “The Salt Land” për shtetin e porsalindur të Izraelit, ishte prodhuar nga BBC-ja në vitin 1954. Pas katër vitesh ai pati suksesin e tij të parë të madh teatral me “Five Finger Exercise”. Në vitin 2001 Shaffer u nderua nga mbretëresha me titullin “Sir”. Vëllai i tij vdiq atë vit. Kur ishte në mes të karrierës, në vitin 1975 në një intervistë për “The Times” ai kishte pranuar se “ndihet i përmbushur” nga puna që tashmë kishte bërë. Por ai nuk u ndal së shikuari përpara.

“Kur t’i mbush 100 vjet, nëse arrij që të shkruaj shumë shfaqje, mund t’i lexoj me radhë dhe ndoshta më krijojnë ndjenja të turbullta – vetëm turbullira – rreth asaj se çka jam dhe çka isha”, kishte thënë ai.

Loading...