Islam Selimi, vëllai i deputetit të Vetëvendosjes në Kuvend, Rexhep Selimi ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Komoran të Drenasit, të premten në mbrëmje.

Lajmin për KTV-në e kishte konfirmuar edhe deputeti Rexhepi.

“Po, është vëllai im. Nuk i di rrethanat, pasi që ndodhem jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërkaq, vëllai tjetër, Ramadan Selimi, para rreth 1 ore, në profilin e tij në Facebook, ka publikuar një video në të cilën shihet së bashku me të vëllanë tjetër, Islamin, raporton Koha.net.

“Vëllai im, Islam Selimi, është shëndosh e mirë në shtëpinë e tij”, ka thënë Ramadani.

Ai, plagosjen e të vëllait të tij e ka quajtur si “problem të vogël”.

“Problemi që pati dje, një problem të vogël, sot besoj që edhe ai problem është tejkaluar, dhe çdo gjë do të jetë në rregull”, tha Ramadani në këtë video të publikuar në Facebook.

Ndërkaq, burimet nga vendi i ngjarjes i kanë treguar KTV-së mbrëmë se Selimi i ka shkuar në shtëpi Xhevat Nuhës, me ç’rast ka pasur përplasje fizike mes tyre.

Nuha më pas e ka përdorur armën duke e plagosur Selimin, i cili ka marrë trajtim mjekësor në QKUK.

Policia e Kosovës e ka arrestuar Nuhën në vendin e ngjarjes. Motivet e përplasjes nuk dihen ende.

Loading...