Vëllezërit Demiri me kompaninë e tyre “RECYPNEU SA. CH DEMIRI” për përpunimin e gomave në Zvicër po planifikojnë të realizojnë një investim kapital në vendlindjen e tyre Kumanovë.

Selim, Abedin, Burhan dhe Demir Demiri jetojnë dhe punojnë në Zvicër për më shumë se tri dekada, duke pasur një biznes të përbashkët që nga fillimi, të cilin kanë arritur ta ngrisin dhe të kenë rezultate pozitive në punën e tyre, duke qenë ndër kompanitë e para në këtë shtet evropian.

Ata kanë arritur që të hapin edhe fabrikën për prodhimin e gomave në Kosovë, një projekt i realizuar para dy dekadave.

Sukseset e tyre kanë nxitur ide për të investuar në Kumanovë, pikërisht në vendlindjen e tyre.

Investimet e tyre janë planifikuar në blektori dhe bujqësi, për të cilat do të duhen 300 hektarë tokë. Vëllezërit Demiri veçmë disponojnë 30 hektarë tokë në pronësi të tyre, por ata synojnë të zgjerojnë kapacitetet dhe se po synohet marrja me qira e tokës shtetërore.

Për të realizuar këtë projekt të tyre investues ata kanë mbështetjen edhe të ambasadorit të Maqedonisë në Zvicër, prof.dr. Halim Hyda. “Në fokus do të jenë 300 hektarë tokë, dhe do të fillohet fillimisht me ruajtjen e 500 deri 1000 viçave dhe lopëve. Po ashtu fokusi do të jetë edhe investime në bujqësi. Koha është tani që të kthehemi dhe të investojmë në vendlindjen tonë, me këtë investim kapital që do të jetë në milionë euro.”, thonë vëllezërit Demiri. Projeksioni i punësimeve fillon me 30 vende pune duke u rritur më pas në mënyrë graduale.

Për këtë investim ka folur edhe ambasadori Hyda duke theksuar për INA se ai është në mbështetje të projekteve të tilla.

“Angazhimi ynë në këtë rast ka qenë në maksimum për të treguar se guri peshon në vendin e vetë më shumë se askund tjetër. Dhe nga investimet që kanë bërë në Zvicër dhe më pas në Kosovë, koha më e mirë dhe më e sigurt është ti kthehen Kumanovës me investimin e tyre më kapital në bujqësi dhe blegtori.”, theksoi ambasadori Hyda.
Sipas tij, ai çdo ditë merret me këtë punë dhe konsulta qytetarë të Maqedonisë që jetojnë në Zvicër, që janë potencial për të investuar në vendlindjen e tyre.

“Mesazhi ynë është se të gjithë ata që kanë arritur të bëjnë diçka më shumë nga vetvetja dhe e kanë dëshmuar vehten në punën dhe jetën në Zvicër, është mirë të mendojnë për vendlindjen, për të realizuar investime dhe projekte zhvillimore.”, theksoi ambasadori i Maqedonisë në Bern.(INA)

Loading...