Ministria e Punëve të Brendshme ka zbuluar identitetin e pronarit të makinës “Zastava” që dje mobilizoi ekipet anti- terrorizëm të MPB-së pasi nga Ambasada e SHBA-së në Shkup u denoncua se ekziston mundësia që makina të ketë eksploziv.

“Është vërtetuar identiteti i pronarit, por lidhur me këtë nuk do të dalim me detaje të mëtutjeshme sepse bëhet fjalë për të dhëna personale” deklaruan nga MPB.

Prej atje konfirmuan se ekipet e tyre kanë vërtetuar se në makinë nuk ka gjurmë eksplozivi, siç kanë qenë dyshimet e para ndërsa pas kontrollit mjeti bartës është dërguar për kontroll të mëtutjeshëm.

Nga ambasada e SHBA-së sot në mëngjes kanë vërtetuar rastin.

“Në incident të izoluar, ambasada mund të konfirmoj se ka pasur dyshime për makinë, që mbrëmë është parkuar në rrugën para ambasadës. Kërkuam ndihmë nga MPB dhe njësitë e këtij dikasteri janë përgjigjur në mënyrë përkatëse. Makina është larguar pa incidente. Për detaje të mëtutjeshme për hetimin, kontaktoni me MPB dhe kjo s’ka kurrfarë lidhje me problemet që i kemi me linjat tona të telefonit” thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Shkup.

Loading...