Unë kam qenë dy mandate edhe këshilltarë në Këshillin e Komunës së Gostivarit. Të them të drejtën jam i zhgënjyer thellë me diskutimet dhe me debatin në Kuvendin e Maqedonisë. Do të thoja së në Këshillat komunal niveli i debatit është më i thellë se sa ajo që është duke ndodh këtu. Kështu mendon kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare Vesel Memedi, tani deputet në Kuvendin e Maqedonisë si përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët. Memedi ekskluzivisht për Lajm TV është deklaruar për krizën aktuale.

Sipas tij, kjo që po ndodh 5 ditë radhazi në Kuvendin e Maqedonisë është një loje e paparë që do të ketë kosto të paparë, jo vetëm për institucionet por edhe për harmoninë në shoqëri. Ai kujton se partitë duhet të kenë kujdes me fjalorin që e përdorin kundër etnikumit tjetër.

“Arsyet të krizës janë dy: VMRO tenton të nxitë urrejtje dhe protestues sa më shumë në rrugët e Shkupit, që zvarritja të vazhdojë, që të mos kemi institucione. Arsyeja e dytë, sipas mendimit tim, ka njëfarë loje në mes subjekteve politike shqiptare dhe maqedonase, që sa më tepër të zvarrisin këtë proces, sepse pritet shumë shpejtë në Maqedoni të zbardhen shumë të vërteta për shumë fenomene që kanë karakterizuar pushtetin e kaluar”, tha për Lajm TV Memedi.

Ai mendon se nga kjo krizë po humbin institucionet, po humb shteti, normal ne jemi pjesë e këtij shteti dhe po humbim të gjithë bashkërisht.

Memedi është prononcuar edhe për Deklaratën e partive politike shqiptare, e cila është bërë mollë sherri në Kuvendin e Maqedonisë, mes LSDM –së dhe VMRO-DPMNE-së.

“Deklarata përbëhet nga Platformat të partive politike shqiptare. ASH është thellë e bindur se këto pika, janë udhërrëfyes për të gjithë partitë politike shqiptare se si duhet të veprojnë në të ardhmen në skenën politike dhe në Kuvendin e Maqedonisë. Ne nuk lëshojmë pe për pikat e Deklaratës së përbashkët. Kjo për arsye se këto janë nevoja të shqiptarëve 26 vite dhe në asnjë variant këto nevoja nuk vinë nga diku tjetër, por vijnë nga brenga, dëshira dhe kërkesa e shqiptarëve në këto 26 vite”, pohoi Memedi.

Nga këndvështrimi i tij, VMRO-DPMNE po manipulon me ndjenjat e qytetarëve.

“Qytetarët e Maqedonisë kur do ta kuptojnë të vërtetën, se pas cilit dhe për çfarë kanë dalë të protestojnë, do të turpërohen”, tha Memedi.

“Nënshkrimet që kemi dhënë ne kanë qenë për të ndalë nga ky kaos dhe jo për ta rënduar gjendjen. Ne tani ende jemi duke diskutuar për pikën që ka të bëjë me zgjedhjen kryetarit të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, paramendoni kur do të vijë pika e radhës, për zgjedhjen e kryeparlamentari dhe atëherë do të shihni se cilat janë qëllimet e partive politike shqiptare dhe maqedonase në këtë kaos”, përfundoi Memedi./LajmTV/

Loading...