Veseli me mesazh të ashpër për vahabistët

“Populli dhe institucionet nuk do të lejojnë që maskarenjtë, kriminelët dhe terroristët të prishin besimin tek Zoti dhe raportet brendashqiptare, pasi vëllezërit tanë janë shqiptarët katolikë dhe ortodoksë”.

Në intervistën e dhënë televizionit publik, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se populli i Kosovës së bashku me institucionet e përgjegjësisë, nuk do të lejojë që maskarenjtë, kriminelët dhe terroristët të prishin besimin tek Zoti dhe raportet brendashqiptare, pasi vëllezërit tanë janë shqiptarët katolikë dhe ortodoksë.

“Ne kemi qytetarë të jashtëzakonshëm. Populli ynë ka pjekuri të jashtëzakonshme dhe nganjëherë është më i pjekur se klasa politike. Unë kam besim të jashtëzakonshëm në të. Kam besim te qindra besimtarë, tek ata imamë dhe te qindra mijëra njerëz që janë të besimit islam. Është garanca më e madhe se këta besimtarë të Zotit nuk do të lejojnë maskarenjtë, kriminelët, terroristët t’ia prishin besimin tek Zoti, raportet tona mes vete dhe te religjionet tjera. Ne shqiptarët kemi tre fe. Vëllezërit tanë janë shqiptarët katolikë dhe shqiptarët ortodoksë, po edhe pavarësisht kombit, kjo është garanci që krijon stabilitet së bashku me institucionet e përgjegjësisë. Kemi njerëz të jashtëzakonshëm”, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë intervistës për RTK.

Sipas tij, institucionet kanë treguar një sukses që është për të lavdëruar.

Institucionet treguan sukses të madh duke reaguar aty ku ka pasur fenomene të reagimit vahabist, që mos të ngatërrohet besimi me vagabondë dhe kriminelë që mundohem ta përdorin islamin për kauzat e tyre politike. Institucionet do të jene edhe më vigjilente dhe duhet të vazhdojnë ta kryejnë punën edhe më mirë, gjithnjë në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare në luftën botërore kundër terrorizmit. Që të mos lejojnë vezët e djallit të hapen në Kosovë”, tha tutje Veseli.

I pyetur për numrin e qytetarëve të Kosovës që luftojnë në Siri dhe Irak, ai tha se megjithatë nuk është numër i madh dhe ftoi familjarët e tyre të bashkëpunojnë me shtetin, për të mirën e vendit.

“Nuk është numër shumë i madh. Janë disa individë të shtytur, manipuluar, por mund të ketë prej tyre edhe persona vërtet të rrezikshëm. Ftoj familjarët e tyre të bashkëpunojnë me institucionet, shtetin në mënyrë që të mbrohemi sa më mirë prej këtij fenomeni”, tha kryeparlamentari Veseli.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, gjithashtu dërgoi mesazhe ofruese për opozitën në Kosovë, duke i ftuar për të biseduar në Kuvend.

Sipas tij, dy marrëveshjet, ajo për demarkacionin dhe për Bashkësinë e Komunave Serbe nuk janë të përfunduara. Në këtë intervistë ai theksoi se mund të bisedohet në mes të pozitës dhe opozitës, pa e detyruar njëri-tjetrin të pranojë konceptet e njërës palë apo tjetrës.

Sipas tij, opozita nuk po lejon as ngritjen e debatit për këto dy marrëveshje dhe kjo për të është shumë e habitshme.

“Asnjë deputet i Kosovës nuk dëshiron të shesë apo të japë asnjë copë tokë të Kosovës. Çështja e demarkacionit është në proces dhe asgjë nuk ka përfunduar. Fare mirë mund të krijohet një komision, ku do të kishim edhe ekspertë ndërkombëtarë dhe figurat tona më prominente të fushës do të merrnin pjesë në komision. Të verifikohet çdo gjë. Por një propozim i tillë nuk është bërë. Në vend të tyre kemi akuza të rënda për tradhti, që unë e vlerësoj se është shumë e rëndë dhe e shëmtuar”, tha kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, duke shtuar se deri më tani demarkacioni nuk është kontestuar me fakte në aspektin profesional, duke përdorur fakte si tapitë dhe dokumentacionet e tjera.

Ndërsa për pjesën e marrëveshjes tjetër për krijimin e Bashkësive të Komunave (me shumicë) Serbe, kryeparlamentari Veseli, tha se duhet pritur që fjalën e fundit ta thotë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Është krijuar një opinion, sidomos tek ndërkombëtarët, që shqetësimet e opozitës nuk janë këto marrëveshje”, pohoi kryeparlamentari Veseli.

Ai ka kërkuar nga opozita që të marrë pjesë në Kuvend, në seancat e Kuvendit, pasi është në dinjitetin e secilit të jetë aty.

“Është në dinjitetin e secilit që t’i rikthehet punës në Kuvendin e Kosovës dhe të ndalet abuzimi me vendin e vet. Opozita nuk është duke vepruar mirë, sidomos me mosrespektimin e ligjit në mënyrë të vazhdueshme, se cili është mesazhi që po çojmë te populli, miqtë apo edhe vetë armiqtë e Kosovës”, vijoi tutje kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Ai ka thënë se protesta e 28 nëntorit është ikje nga përgjegjësia.

“Ne e patëm një peticion që humbi nga ana e opozitës dhe nuk e solli në Kuvend opozita. 28 Nëntori i shenjtë i Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit është i të gjithë shqiptarëve. Çka i flenë kjo datë më shumë opozitës se pozitës, pse ata e duan më shumë se ne këtë ditë, që është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët. Pse opozita e do më shumë Ismail Qemajlin e Isa Boletinin sesa pozita? Përdorimi i kësaj dite të shenjtë për shqiptarët nga ana e opozitës, e cila do ta përdorë këtë ditë kundër pozitës, është e papranueshme”, shtoi Veseli.

Ai po ashtu ka folur edhe për protestën e opozitës në të cilën Policia e Kosovës dhe zyrtarë të ndryshëm janë sulmuar nga protestuesit në mënyrë të rrezikshme.

“Policia është gjuajtur me molotov, gurë të mëdhenj dhe është fat i madh që nuk ka pasur ndonjë të vdekur, sepse ato janë mjete vdekjeprurëse. Duhet të marrin përgjegjësinë ata që i organizojnë këto protesta të dhunshme. Kush mban përgjegjësi nëse na vdes dikush nga përdorimi i këtyre mjeteve? Megjithatë, po shpresojmë që protesta më datën 28 nëntor do të jetë e qetë”, tha Veseli.

I pyetur për vizitën e sekretarit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kryeparlamentari Veseli tha se është gabim të lidhet ardhja e tij me tensionet politike që po ndodhin në Kosovë.

“Ardhja e John Kerry është një vizitë shumë e mirëpritur për Kosovën dhe është gabim që një vizitë e tillë të interpretohet apo të tkurret si një vizitë në funksion të zgjidhjes së problemeve mes pozitës dhe opozitës. Këto janë çështje të vogla mes nesh. Ardhja e sekretarit Kerry është dëshmi për përkushtimin amerikan që vazhdojnë ta mbështesin Kosovën, edhe në këtë kohë të luftës kundër terrorizmit në të gjithë globin. Kjo është një gjë shumë e madhe për vendin tonë’, vijoi tutje kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli.

Ai është përgjigjur edhe në pyetje të tjera që kanë të bëjnë me terrorizmin, ISIS-in.

Loading...