Në një intervistë për emisionin “Jeta në Kosovë”, analisti amerikan, Daniel Serwer, shpjegon pse është duke e kundërshtuar idenë e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, i cili për disa vite ka qenë person i afërt me Thaçin, tash e sa javë është vënë në kundërshtim të idesë së tij përmes shkrimeve e komenteve.

Ai thotë se kjo marrëveshje, nëse jetësohet, do të jetë “e keqe” dhe se ajo nuk do ta garantojë mbështetjen ruse për një vend për Kosovën në OKB e as njohjen e shumëkërkuar të Kosovës nga pesë shtetet mosnjohëse anëtare të Bashkimit Europian.

Serwer tha në intervistën me Jeta Xharrën se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të përballet me çështjen e njohjes së Kosovës atëherë kur të vijë radha që Serbia të hyjë në BE.

Jeta Xharra: Z. Serwer, ju keni përcjellë Kosovën përgjatë 20 viteve të fundit, e po ashtu konsideroheni si mik i madh i Kosovës, keni punuar për qeverinë tonë, pra, çfarë mendoni rreth ideve të fundit që po diskutohen mes Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit, të cilat kanë të bëjnë me ndërrime territoresh, korrigjim të kufijve, shkëmbim të territoreve. Çfarë mendoni për to?

Daniel Serwer: Mendoj që këto janë ide të këqija të cilave nuk duhet t’u vijë vakti. Po ashtu mendoj që në të vërtetë nuk ka të bëjë me territore, por me njerëzit që do të shkëmbehen, apo njerëzit që mendohet se janë në anën e gabuar të kufirit. Unë nuk di për asnjë vijë që duhet tërhequr e që u thotë njerëzve se janë në anën e gabuar. Njerëzit në Kosovë duhet të trajtohen si qytetarë të Kosovës dhe të drejtat e tyre duhet të mbrohen pa marrë parasysh se kush janë ata.

Jeta Xharra: Por, argumenti i Hashim Thaçit është se Serbia nuk e pranon Kosovën kështu si është, e ne duhet të japim diçka. Kjo është ajo që këshilltarët e tij po u thonë njerëzve prapa skenave. Ky është motivi i tij se pse dëshiron të heqë dorë nga Veriu. Çfarë i thoni kësaj?

Unë besoj që kjo marrëveshje do të ishte kthim prapa dhe do ta dëmtonte ambicien kryesore të Kosovës që është shtetësi e plotë, kompletim i sovranitetit, hyrje në NATO dhe BE. Kjo marrëveshje do ta vështirësonte këtë, nuk do ta lehtësonte: Daniel Serwer
Daniel Serwer: Mendoj që kjo është një marrëveshje e keqe. Është marrëveshje e keqe ngase do ta nënçmojë shtetësinë e Kosovës. Është marrëveshje e keqe po ashtu sepse Vuçiqi do të duhet ta njohë Kosovën që Serbia të mund t’i bashkohet BE-së, dhe data për të ndodhur kjo nuk është edhe fort larg. Ai dëshiron që të kualifikohet për vitin 2023 e edhe nëse nuk e arrin këtë datë, ai do të dëshirojë të kualifikohet për vitin 2025. Në atë kohë, atëherë i gjithë avantazhi do të jetë në anën e BE-së, dhe BE-ja do të mund ta kërkojë njohjen e Kosovës.

Jeta Xharra: Atëherë, të jem më e drejtpërdrejtë dhe t’ju pyes menjëherë: çfarë mendoni se qëndron mbrapa mendjes së një lideri kosovar i cili vetë e çel këtë temë. Çka mendon që po ndodh brenda kokës së tij?

Daniel Serwer: Duhet ta pyesni atë. Por interpretimi im i asaj që po ndodh është ky: Aleksandar Vuçiqi po flet për ketë temë për vite me radhë. Para tij, Gjingjiqi po ashtu ka dashur ta shtyjë këtë ide. Ajo që ka ndodhur së fundmi është që këto ide kanë marrë pak vëmendje në Uashington dhe pak vëmendje nga LDK-ja brenda Kosovës, veçanërisht nga miku im Lutfi Haziri i cili ka thënë që e do Preshevën.

Jeta Xharra: Por ai nuk është udhëheqësi i LDK-së apo shefi i grupit parlamentar, ai është vetëm kryetar komune.

Daniel Serwer: Jo, ai është vetëm kryetar komune por gjithashtu ai është një politikan i rëndësishëm opozitar dhe mendoj që nëse ju jeni President i Kosovës dhe e shihni që serbët po ju dominon në Uashington e ndoshta edhe opozita po ju dominon brenda Kosovës, atëherë ju do të doni të reagoni ndaj kësaj situate në mënyrën që ju konvenon . Mendoj që propozimi për të marrë një pjesë të Preshevës në këmbim të Kosovës veriore ka qenë një manovër politike me qëllimin që të zgjidhë disa probleme të natyrës së brendshme por edhe ndërkombëtare. Ky është interpretimi im.

Jeta Xharra: Vetëm pak para intervistës me ju, ne realizuam një intervistë me një analist politik në Serbi që është i afërt me Vuçiqin, i cili na tha se dhënia e Luginës së Preshevës do të ishte 2 me 1 në raportin Kosovë-Serbi. Ai po ashtu ka thënë që as nuk mund të paramendohet që Vuçiqi ta japë Preshevën. Kjo është diçka që Hashim Thaçi po i thotë publikut kosovar, por është e paparamendueshme që ai të ndërrojë çfarëdo territori të Serbisë e veçanërisht për faktin që një autostradë shumë strategjike kalon përmes Preshevës. Pra, a mendoni me të vërtetë që Vuçiqi do ta jepte Luginën e Preshevës në çfarëdo skenari?

Daniel Serwer: Përsëri, duhet ta pyesni atë. Mendoj që nuk ka diçka për t’u marrë vesh këtu.

Unë mendoj që [për ta dhënë Preshevën] Vuçiqi e ka problemin e autostradës që kalon në Preshevë, që është dalja e Serbisë në det gjë që ushtria e Serbisë gjithmonë ka dashur ta mbrojë. Mendoj që Hashim Thaçi e ka çështjen e shqiptarëve në veri të Kosovës dhe burimin kryesor të ujit të Prishtinës, Ujmanin, me sa kuptoj, kështu që unë nuk po shoh ndonjë marrëveshje të mirë këtu.

Por më me rëndësi është se diskutimi i kësaj teme është destabilizues për rajonin dhe më gjerë. Është shumë e pamençur për këta liderë të hynë në këtë temë publikisht. Unë e di që privatisht e kanë diskutuar shumë herë por diskutimi publik i kësaj është shumë pamaturi dhe të rrezikohet një situatë ku krijohen faktet në teren që do të ishin shumë të dëmshme për Kosovën dhe Serbinë.

Jeta Xharra: Çfarë efekte konkrete do të kishte kjo për Republikën Serbe në Bosnjë, shqiptarët e Maqedonisë, pakicat në Moldavi, situatën në Gjeorgji? A do të kishte pasoja në realitet?

Daniel Serwer: Unë besoj që do të kishte pasoja. Pasojat më së pari do të ishin brenda Kosovës dhe Serbisë sepse nëse veriu i shkon Serbisë, fati i shumicës së serbëve në Kosovë që jetojnë në jug të Ibrit është shumë i pasigurt. Edhe nëse askush nuk prek asgjë, e ardhmja e tyre do të jetë në pikëpyetje.

Jeta Xharra: Pse po mendoni kështu?

Daniel Serwer: Unë mendoj kështu sepse ndërrimi i territoreve do të bazohet në vija etnike dhe prania e serbëve në jug të Ibrit nuk përshtatet me parimin etnik. Ati Sava (Janjiq) ka qenë shumë i qartë lidhur me këtë, ai e kupton që nëse do t’i jepet veriu Serbisë, do t’i rrezikonte serbët në jug të Ibrit por do t’i rrezikojë edhe ata shqiptarë që nuk janë në Luginën e Preshevës. Nxit pyetje edhe për boshnjakët në Sanxhak, edhe pyetje të Republikës Serbe në Bosnjë dhe shqiptarëve në Maqedoni. Tash të jem i qartë, çështja nuk është e natyrës ligjore. Vuçiqi e Thaçi mund të diskutojnë çka të duan se janë dy sovranë, por pyetja që bëj unë është se a është e mençur madje vetëm të fillohet të diskutohet kjo për shkak të pasojave joligjore që nënkupton kjo brenda Kosovës, brenda Serbisë, Maqedonisë, Bosnje dhe Hercegovinës e mos të fillojmë të flasim për vendet jashtë Ballkanit që do të destabilizohen.

I vetmi që do të përfitonte prej këtij diskutimi është Vladimir Putini.

Jeta Xharra: Çka do të përfitonte?

Daniel Serwer: Ai përfiton sepse ndarja e Kosovës do të përforcojë argumentin e tij për ndarje të Gjorgjisë (përmes pavarësisë sa Osetisë Jugore dhe Abkhazisë) edhe ndarja e Ukrainws (pwrmes Aneksimit të Krimesë). Ne përgjithësi, ai përfiton kur nacionalizmi etnik fiton mbi demokracinë liberale. Shkëmbimi i territoreve edhe i popujve medeomos e forcon principin etnik.

Jeta Xharra: Të kemi parë që keni qenë shumë përkrahës i Hashim Thaçit në dialog deri tash. A po ju befason ky ndërrim i qëndrimit të tij tash?

Daniel Serwer: Më ka befasuar shumë, thënë të drejtën. Ta dhashë shpjegimin përmes faktorëve lokalë e ndërkombëtarë. Nuk e kam diskutuar me të prej që ka dalë publikisht duke e favorizuar idenë e korrigjimit të kufijve. Mirëpo, siç e dini, njerëzit që e respektojnë njëri- tjetrin mund të kenë mendime të ndryshme, edhe për çështje të rëndësishme. Ky është mësimi kryesor i nxjerrë nga kjo. Por duhet folur me njëri-tjetrin për to.

Jeta Xharra: Z. Serwer, pyetja kryesore të cilën audienca jonë dëshiron ta dëgjojë është se si ka ndërruar pozicioni i administratës amerikane në këtë çështje?

Daniel Serwer: Ka ndërruar sepse kjo është një administratë e re me shumë pak përvojë në Ballkan dhe është një administratë etnikisht nacionaliste, dhe kur Daçiqi ka ardhur në Uashington që ta shtyjë këtë ide, kjo administratë ishte e gatshme ta dëgjojë sepse kjo ide përmban në vete parime etnikisht nacionaliste.

Jeta Xharra: Më falni që po ju ndal por shumica e njerëzve në Kosovë mendojnë që edhe republikanët edhe demokratët janë pajtuar në përkrahjen e Kosovës. Administrata e Bushit ka qenë e qartë për Kosovën e ka qenë republikan si Trump. Jo vetëm Klintoni, por edhe Klintoni edhe Bushi kanë qenë konsistentë rreth Kosovës. Si ndodhi që ky President republikan ka ndërruar qëndrim 180 shkallë?

Daniel Serwer: Sepse kjo nuk është administratë tradicionale republikane, është administratë radikale të cilës i pëlqen të jetë kundër (administratave të kaluara). Kjo administratë i përfshin edhe njerëz si Xhon Bolton që ishin kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës dhe s’ka mënyrë më të mirë ta shkatërrosh trashëgiminë e Klintonit se sa të avokosh që të kesh veshë për njerëz që duan ta ndajnë Kosovën.

Jeta Xharra: Çka thotë fakti që zyrtarët e lartë amerikanë nuk kanë pasur përpara takime me zyrtarë të lartë serbë dhe së fundmi, Kushner, këshilltari i afërm i Trump është takuar me Daçiqin. Çka thotë kjo për këtë ndryshim politik?

Por më me rëndësi është se diskutimi i kësaj teme është destabilizues për rajonin dhe më gjerë. Është shumë e pamençur për këta liderë të hynë në këtë temë (korrigjimin e kufijve) publikisht, thotë Daniel Serwer.
Daniel Serwer: Do të thotë saktësisht atë që vet administrata ka thënë, që ata janë të gatshëm të dëgjojnë. Ata nuk kanë premtuar miratim të kësaj, dhe kjo është shumë e rëndësishme të përmendet. Ata kanë thënë që do të dëgjojnë gjithçka për të cilën mund të merren vesh Kosova dhe Serbia por nuk janë pajtuar për asnjë gjë blanko.

Jeta Xharra: Edhe nëse Kosova e Serbia pajtohen, hipotetikisht, a është kjo administratë që paska hapësirë të dëgjojë ide për ndërrimin e territoreve apo ndarjen e Kosovës, po aq e angazhuar të garantojë që Kosova do të ketë ulëse në Kombet e Bashkuara? Pra a do ta bindë administrata amerikane Rusinë ta pranojë Kosovën ne OKB (nëse kjo administratë është më e afërt me Rusinë se ato të mëparshmet në SHBA), a mund t’i besojmë që ta udhëheqë procesin për Kosovën dhe ta bëjë koreografinë e hyrjes së saj në OKB, ngase kjo është çka Hashim Thaçi po i thotë publikut në Kosovë, që në këmbim të veriut, ne mund të fitojmë ulësen në OKB dhe njohjen nga Serbia. A mund ta garantojë këtë ShBA-ja?

Daniel Serwer: Unë personalisht nuk e besoj një gjë të tillë, por Hashim Thaçi ka folur me zyrtarë amerikanë më shumë se unë dhe unë nuk e di se çka i kanë premtuar atij. Por do të isha shumë skeptik. Një gjë që duhet ta kuptojmë është që ndarja e Kosovës prej pikëvështrimit të 5 vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe prej pikëvështrimit të Kinës është më keq se sa pranimi i Kosovës në OKB pa u bërë ndarja e Kosovës.

Ideja e ndarjes etnike për qipriotët grekë, ideja e ndarjes etnike për Spanjën është më keq se vetëm njohja e Kosovës, dhe për Kinën gjithashtu. Kështu nuk është vetëm Rusia të cilën duhet SHBA-ja ta bindë, është edhe Kina. Jam shumë skeptik që këto janë gjëra mund të bëhen.

Jeta Xharra: Pra ju po thoni që edhe nëse Serbia e njeh Kosovën, 5 shtetet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën nuk do ta pranonin automatikisht?

Daniel Serwer: Po, mendoj se ashtu do të jetë. Edhe për disa prej tyre, ndarja e Kosovës do ta vështirësonte njohjen e Kosovës.

Jeta Xharra: A mendoni që ky avantazh i qëndrimit amerikan për Kosovën është rezultat edhe i faktit që BE-ja ka qenë shumë e dobët në imponimin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel këto 7 vitet e fundit?

Daniel Serwer: Mendoj që ka probleme shumë të mëdha me zbatimin mirëpo nëse e mendoni gjendjen e para 7 viteve dhe si është sot, shihet që është përmirësuar dukshëm. Kosova takohet rregullisht me Serbinë si palë të barabarta, janë shënuar disa arritje teknike, është arritur marrëveshja që në parim Kushtetuta e Kosovës vlen në të gjithë territorin e saj, duke përfshirë Veriun. Unë mendoj që një masë e konsiderueshme progresi është arritur dhe që mënyra më e mirë për të shkuar tutje është të vazhdohet me këtë rrugë.

Jeta Xharra: Pikërisht meqenëse po thoni se pozita e saj është përmirësuar, a mendoni se Kosova duhet të sillet thuajse është aq në zor sa të japë territor. A është Kosova me të vërtetë Kosova e nxanë në qorrsokak? A është me të vërtetë ulësja në OKB aq kyçe për pasjen e një shteti funksional? A është gjëja më e rëndësishme?

Daniel Serwer: Nuk është më e rëndësishmja. Por, mendoj që do të ndihmonte jashtëzakonisht shumë dhe do t’u jepte fund shumë dyshimeve mbi Kosovën që ekzistojnë anembanë botës.

Jeta Xharra: A ia vlen të jepet territor për të? A ia vlen të jepet territor për një ulëse në OKB?

Daniel Serwer: Nuk mendoj që çështja është territori për ulëse në OKB, mendoj që vënia e gjithë këtij theksi në territor është i gabueshëm. Kjo ka të bëjë me parime, me parimin që të gjithë qytetarët e Kosovës janë të barabartë, dhe heqja dorë nga ky parim për ulëse në OKB nuk ia vlen, sipas meje.

Jeta Xharra: Si e shpjegoni që Gjermani e Mbretëria e Bashkuar janë haptazi kundër ndërrimeve të kufijve, dhe çka thotë kjo për marrëdhëniet transatlantike për këta aleatë që ishin së bashku në bombardimet e NATO-s me ShBA-në?

Daniel Serwer: Shikoni, gjëra të mira ndodhin kur Europa e Amerika pajtohen, gjëra të këqija ndodhin kur ata nuk pajtohen. Tash nuk pajtohen në shumë gjëra, Kosova është një prej shumë gjërave. Britania e Gjermania janë vende parimore që e mbrojnë demokracinë liberale, unë shpresoj që vazhdojnë në atë drejtim. Amerika është bërë vend që s’mund të mbështetesh më në të në atë aspekt. Kjo është shumë fatkeqe dhe që të ndryshojë kjo, do të duhet kohë.

Jeta Xharra: Pra, nëse Shtetet e Bashkuara janë ashtu, a ka kuptim që të riedukohet ajo, çka mund të bëhet nga shqiptarët në Amerikë, a mund të kenë ata ndonjë ndikim në këtë riedukim të administratës së Trump, t’i tregojnë që mbështetja e kësaj ideje është si të luash me zjarr?

Daniel Serwer: Sigurisht që është shumë e rëndësishme për shqiptarët në ShBA të vazhdojnë ta përkrahin shtetësinë e Kosovës. Kjo do të thotë edhe kundërshtimin e idesë për ndarje. Për më shumë, unë jam profesor dhe kam qenë i vetëdijshëm për këtë mungesë të ndërgjegjes për atë që kemi bërë në Ballka dhe pse e kemi bërë atë gjatë viteve të 90-ta. Para pesë vitesh unë kam filluar të shkruaj një libër për atë që kemi bërë në Ballkan dhe mënyrat se si ka qenë edhe e suksesshme dhe se si ka qenë problematike. Ky libër do të publikohet në dhjetor dhe shpresoj që të ndihmojë në edukim.

Jeta Xharra: Do ta lexojmë. Është interesant fakti që në përpjekjen e fundit kur u themelua Gjykatës Speciale, Hashim Thaçi është ndëgjuar të ketë thënë që “kam menduar që nëse lejojmë themelimin e Gjykatës ne do të marrim liberalizimin e vizave, do të marrim ndihmë rreth njohjeve, hyrje më të shpejtë në BE, njohje nga NATO”. A po sillet ai në mënyrë naive edhe kësaj radhe, me shpresën që nëse jep territor ai do të fitojë njohjen, e kjo mandje nuk na del ashtu?

(Administrata e Trump) nuk është administratë tradicionale republikane, është administratë radikale të cilës i pëlqen të jetë kundër (administratave të kaluara). Kjo administratë i përfshin edhe njerëz si Xhon Bolton që ishin kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës dhe s’ka mënyrë më të mirë ta shkatërrosh trashëgiminë e Klintonit se sa të avokosh që të kesh veshë për njerëz që duan ta ndajnë Kosovën: Daniel Serwer
Daniel Serwer: Shikoni, të jemi të qartë, njohja është prioriteti i parë. Ju nuk mund të jepni territor para se të njiheni si sovran i atij territori, pra njohja duhet të vijë e para. Shkëmbimi mund të pasojë më vonë, por njohja është e para. Një gjë që mund të pasojë menjëherë pas kësaj është anëtarësimi në OKB. Pra, mendoj që ka një rrezik real këtu që Kosova të marrë vetëm një pjesë të vogël prej asaj që ka shpresuar që përfshihet në marrëveshje. Unë do ta paralajmëroja këtë rrezik.

Jeta Xharra: Nëse do të vlerësonit se çka ka fituar Kosova nga negociatat në vitet e fundit, a do të thonit që ne jemi mashtruar me shpresën që nëse japim dhe presim duke shpresuar që dialogu do të sjellë diçka, por që në fakt diplomacia serbe ka qenë më e suksesshme, edhe pse pjesa morale e historisë ka qenë në anën tonë apo edhe pse ne e kemi fituar rastin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ne nuk e kemi shfrytëzuar momentumin që të fitojmë më shumë për Kosovën?

Daniel Serwer: Shikoni, Kosova shpesh ka marrë më pak se që ka shpresuar. Por një gjë që nuk i ka ndodhur Kosovës është të shkojë mbrapa. Po, ka marrë më pak në 1999 se që ka shpresuar, ka marrë më pak me raportin e Kai Aides, ka marrë më pak me planin e Ahtisaarit se që ka menduar që i takon, por në secilën fazë prapë ka bërë progres dhe nuk ka rrëshqitur mbrapa.

Jeta Xharra: A do të ishte kjo marrëveshje pra rrëshqitje prapa?

Daniel Serwer: Unë besoj që kjo marrëveshje do të ishte kthim prapa dhe do ta dëmtonte ambicien kryesore të Kosovës që është shtetësi e plotë, kompletim i sovranitetit, hyrje në NATO dhe BE. Kjo marrëveshje do ta vështirësonte këtë, nuk do ta lehtësonte.

Loading...