Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema, Sulejman Rexhepi ka dërguar sot mesazhin deri tek besimtarët me rastin e Kurban Bajramit 2018.

“Të dashur besimtarë, motra e vëllezër. Kam kënaqësinë që të kumtoj publikisht se nesër kemi festën e Kurban Bajramit. Kjo festë, pa dyshim që është e shenjtë, sepse shënon besnikërinë dhe sinqeritetin tonë ndaj Allahut të gjithë mëshirshëm, i cili, pikërisht në prag të kësaj feste na e përsosi fenë tonë duke na e kompletuar ligjin e shpëtimit, duke na e dhuruar çelësin e dyerve të xhenetit, Kuranin madhështor. Kurban Bajrami, të dashur besimtarë, është festë në të cilën fuqishëm përçohet mesazhi për bujarinë dhe mëshirën e krijuesit tonë, çast nga rrëfimi i shenjtë që flet për dashurinë e madhe të Zotit fuqiplotë që ka ndaj krijesave të veta”, thotë kreu i BFI-së.

Sipas tij, dija, përkushtimi ndaj urdhrave të krijuesit absolut dhe flijimi në emër të tij, “janë tri shtigje që gjithmonë na nxjerrin në rrugën e dritës”.

“Përmes diturisë ne mund ta përjetojmë krenarinë e Zotit që ka për krijesat e veta, përmes namazit, lutjeve, ibadeteve, arrijmë që ta përjetojmë kënaqësinë e Allahut tonë, kurse përmes kurbanit, përmes sakrificës e flijimit arrijmë që ta përjetojmë gëzimin dhe dashurinë e tij. Urimet në këtë festë patjetër që duhet të shoqërohen me shtrirje të dorës, me përqafim e me marrje ngryk, me vizita e me pajtime. Duke ju ftuar që të lutemi për shëndetin e vëllezërve dhe të motrave tona që i kemi në tokat e shenjta duke e kryer haxhillëkun, më lejoni që t’ju shpreh urimet më të përzemërta për Kurban Bajramin. Motra e vëllezër, për hair ju qoftë Kurban Bajrami dhe kalofshi çaste të bukura e të paharruar përgjatë kësaj feste. Me dëshira të veçanta Bajramin ua uroj edhe vëllezërve tanë shqiptarë ku do që janë në diasporë dhe të gjithë myslimanëve në botë”, qëndron në mesazhin e H. Sulejman Rexhepi.

Loading...