Qytetarë të shumtë nga Çairi dhe Vizbegu dërguan ankesa në adresë të Televizionit Shenja për ndotje alarmante të ajrit dhe erë e keqe e shoqëruar me tym që nuk e kanë të qartë prej ku vjen. Qytetarët e shqetësuar thonë se kanë kërkuar përgjigje nga autoritetet për shkakun e kësaj ere, por ende nuk është gjetur shkaktari. Sipas pohimeve të tyre, era e keqe ndjehet herët në orët e mëngjesit, duke filluar nga ora 4.

Qytetar MK

“Ka erë të keqe por nuk e dimë se prej ku vjen. Ka shumë ndotje të ajrit por nuk e dimë prej ku. Ditëve të fundit kishte më shumë. Sidomos javën e fundit. Ndodhë nga ora 4 e mëngjesit, deri kah ora 5 e 30, atëherë është më e theksuar të paktën. Ndjehet ndonjë erë sikur kur digjen kabllo ose diçka kështu”

Qytetar

“Para tre ose katër ditësh ka patur një erë të keqe, për çka nuk e di. Më dukej sikur erë plehri”

Qytetar

“Diçka ka ndodhur më duket, një erë. Kanë djegur diçka por saktësisht nuk e di se çka”

Qytetare

“Nuk e di. Ka erë. Erë jo të mirë”

Qytetar MK

“Si tua them. Paradite më shumë, por gjatë gjithë ditës ka ndotje”

Pyetëm Inspektoratin shtetëror të ambientit nëse kanë bërë kontrolle nëpër fabrikat që në kaluarën janë llogaritur si ndotësit më të mëdhej të ajrit të Shkupit, por nga kjo ministri shkurtimisht në bisedë telefonike na siguruan se fabrikat më të mëdha që kanë përpunuar materie të rënda më nuk janë në funksion, përfshirë këtu edhe fabrika Makstil që punonte pa filtra ekologjik. Nga ky inspektorat thanë se patën bërë kontrolle së fundmi, pas një denoncimi nga banorë të Vizbegut, dhe në një pjesë të qytetit kishin kapur qytetarë që po digjnin goma makinash. Ueb faqja e ministrisë së Ekologjisë në të cilën përcillen të dhënat për nivelin e ndotjes së ajrit sot nuk ishte funksionale kështu që nuk ka ide të saktë nëse ndotja ka tejkaluar nivelin normal.

Loading...