Visar Kuçi sfidohet me vepra kolosale për violinë në koncertin 90 minutash

Prishtinë, 14 dhjetor – Violinisti Yehudi Menuhin e kishte cilësuar “Chaconne” si një prej strukturave më të mira që ekziston për violinë solo.

“Chaconne” është koha e pestë e veprës “Partita for violin” e kompozitorit Johann Sebastian Bach. Ndërsa violinisti Joshua Bell ka thënë se “Chaconne” “nuk është vetëm një prej veprave më të mira muzikore të shkruara ndonjëherë, por një prej arritjeve më të mëdha në histori”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas tij, “është pjesë e fuqishme shpirtërisht, e fuqishme emocionalisht, dhe strukturalisht perfekt”. E pikërisht me këtë vepër violinisti kosovar Visar Kuçi hapi koncertin recital 90 minutash që u mbajt të shtunën mbrëma në objektin e Filarmonisë së Kosovës. Për të kompletuar performancën e tij, Kuçi në skenë u shoqërua nga pianisti tetovar, Shkëlzen Baftiri. Kur Kuçi përfundoi veprën e parë, Baftiri u ngjit në skenë dhe së bashku sollën edhe tri vepra të tjera, që konsiderohen të vështira për t’u interpretuar, por njëkohësisht edhe të rëndësishme në literaturën violinistike.

“Sonata në A major” për violinë dhe piano nga Cesar Franck ishte vepra e radhës. Kjo është një prej kompozimeve të tija më të mira dhe konsiderohet si një prej sonatave më të mira të krijuara ndonjëherë për violinë dhe piano. Më pas dyshja solli këngën franceze “Beau Soir” të kompozuar nga Claude Debussy, me tekst nga poezia e shkruar nga Paul Bourget. Debussey ishte 15-vjeçar kur e kompozoi këtë këngë dhe muzika e tij është vlerësuar për estetikën që ka përdorur. Kjo këngë është aranzhuar me sukses për një numër instrumentesh, përfshirë edhe versionin për violinë e piano nga Jascha Heifetz. Krejt në fund duoja sollën kompozimin rapsodik “Tzigane” të kompozitorit francez Mauricie Ravel, të cilën ai ia kishte dedikuar violinistes hungareze Jelly d’Arányi, mbesës së violinistit virtuoz me ndikim Joseph Joachim. Kompozimi origjinal ishte për violinë dhe piano. Kjo përmbledhje e këtyre katër veprave të mëdha dhe njëkohësisht të rëndësishme ishin sfidë për Kuçin.

Por profesoresha e tij e violinës, Sihana Badivuku, ka thënë se ai ia ka dalë që me sukses t’i sjellë ato vepra para publikut. Me këtë rast Kuçi edhe përfundoi pjesën e dytë të provimit për master, pikërisht në klasën e Badivukut.

“Unë si profesoreshë që e udhëheq Visarin qëkur ishte 7 vjeç jam shumë e kënaqur. Siç po e shini, për t’u ndërtuar një violinist deri në këtë nivel nevojiten së paku 20 vjet ushtrime të pandërprera. Pra duhet një kontroll permanent”, ka thënë Badivuku, tek ka treguar se Kuçi ka qenë nxënës i saj qysh në shkollë fillore dhe të mesmen. Ndërsa studimet ai më pas do t’i vazhdonte në Gjermani, për t’u rikthyer në Kosovë, ku ka vazhduar studimet master tek Badivuku.

Sipas saj, veprat që solli Kuçi bashkë me Baftirin janë kolosale.

“Patëm rastin të dëgjonim vepra kapitale të literaturës violinistike, kamertale. Janë vepra kulmore, kolosale, dhe më vjen shumë mirë që Visari është në këtë formë”, ka thënë Badivuku, e cila i kishte propozuar atij që të luante bashkë me Baftirin.

Sipas Kuçit, duoja për dy muaj janë takuar diku shtatë herë, për shkak se ai jeton në Tetovë e Kuçi në Prishtinë. Por bashkëpunimi që sollën të shtunën, sipas Kuçit, rezultoi i suksesshëm.

“Për aq sa kemi pasur kohë mendoj se kemi arritur të bënim diçka të mirë bashkë dhe jam gëzuar që në njëfarë mënyre ka funksionuar duoja, sepse është e vështirë të gjesh dikë që mund të bashkëpunosh. Jam shumë i lumtur që ndava skenën me Shkëlzenin”, ka thënë Kuçi, tek ka treguar për përzgjedhjen e veprave.

Ai ka thënë se ka gjithë jetën që pret t’i luajë veprat që kishte në repertor, por kishte pritur momentin e duhur për t’i sjellë para publikut.

“I kam ruajtur për një moshë kur jam më i pjekur. Nuk i kam ushtruar qëllimisht më herët, sepse e kam ditur se janë vepra shumë të vështira, të mëdha dhe po më vjen mirë që erdhi koha për to. Më vjen mirë që pak a shumë po arrij t’i kontrolloj nga fillimi deri në fund duke e ditur se çfarë po ndodh, sepse është e vështirë për një violinist t’i luajë këto vepra e për më shumë të gjitha në një natë”, ka thënë Kuçi, i cili ndryshe njihet edhe si multiinstrumentist, sepse përveç violinës me të cilën është koncert- mjeshtër i Filarmonisë së Kosovës dhe asistent profesor për violinë në Universitetin e Prishtinës, luan edhe në kitarë e kontrabas. Repertori i tij përfshin zhanre të ndryshme të muzikës nga klasikja, jazzi, blues, rock dhe pop e deri tek muzika për film e teatër. Por dashuria që ka për violinën dhe muzikën klasike për të janë kryesoret. Për këtë ka një arsye.

“Jam shumë i lumtur që jam bërë violinist, sepse kur kam qenë fëmijë kam dashur të bëhem pianist, por po të mos bëhesha violinist ndoshta nuk do të dija të luaja në gjithë instrumentet e tjera”, ka thënë Kuçi.

Loading...