Të etur në mesin e verës. Këtë fat të keq e kanë një pjesë e banorëve të Vizbegut të cilët vazhdojnë të ballafaqohen me mungesën ujit në këto ditë me temperatura tropikale. Banorët shprehen të pakënaqur ndaj mosinteresimit të institucioneve përgjegjëse për këtë problem, që sipas tyre, daton para 15 viteve kur lagjja nisi të zgjerohet me ndërtimin e shtëpive të reja. Ujë për pije banorët blejnë nëpër dyqane ose mbushin tek fqinjët dhe familjarët që kanë ujë të bollshëm.

“Ky ujësjellës është vendos për 20 shtëpi para 30 vjetësh e tash janë bë 250 shtëpi, ai rrjet është dhe ujë nuk ka, vjen deri aty poshtë dhe lart nuk mbërrin, qoftë me motor qoftë pa të ujë nuk kemi, as për të pi e as për asgjë tjetër, të gjithë po mbushim nëpër autolarje e te Xhamia. Çka të paguaj ujë kur ujë nuk kam, le të ma sjell ujin pastaj e paguaj, nëse nuk e paguaj atëherë le të ma ndalin, sikur rrymën që po e ndalin”.

“Unë e paguaj e jam pa pikë uji, tash 20 ditë hiç nuk kemi ujë, as natën e as ditën”.

Madje, disa familje janë detyruar të hapin puse nëpër oborret e shtëpive të tyre me qëllim të sigurojnë ujë për të larë dhe pastruar. Kërkesat e shumta për furnizim me ujë tashmë disa herë i kanë dorëzuar në qytetin e Shkupit, në Ndërmarrjen”Ujësjellës dhe Kanalizim” dhe komunat Butel dhe Shuto Orizarë, por pa përgjigje pozitive.

“Shekulli 21 e ne merremi me ujë pusi, ky nuk është i pijshëm por vetëm për të pastruar. Gjithë fqinjët vijnë dhe mbushin nga pak”.

“Dy puse janë dhe me këto dy puse afër 40-50 shtëpi furnizohemi nga pak, ky ujë nuk është për tu pi…Shumë vështirë e kemi, por nuk kemi çka të bëjmë me shtetin. Kemi kërku, jemi anku, çdo kund kemi shku e ndihmë nuk na jep askush. Kemi kërku në komunë, kemi qenë në parti, kemi qenë në Qeveri”.

“Tash po kthehem prej Komunës së Shutkës, para dy ditësh ishim te “Ujsjellësi..Nuk bëhet fjalë për mos me pagu ujin, jemi ti pagu 100 mijë pagesa tjera e uji nuk vjen në shprehje të mos paguhet, mirëpo nuk paguhet 200 mijë denarë ujë pa e hazrxhu”.

Kryetari i Shkupit Koce Tajanovski i njoftuar me këtë problem akuzoi banorët për mos pagesën e faturave të ujit dhe keqpërdorimin e tij.

Përqindja e pagesës është jashtëzakonisht e ulët, 10 deri në 20 % dhe më shumë harxhojnë ata që nuk paguajnë dhe të njëjtin ujë nuk duhet ta harxhojnë për vaditje të kopshteve dhe oborreve dhe vlerësoj se në këtë rast do të kenë ujë për pije. Për këtë rast janë njoftuar “Ujësjellësi dhe kanalizimi” dhe po bëjnë të gjitha përpjekjet e duhura, fillimisht mund të ç’kyçin ata që nuk paguajnë dhe ata që harxhojnë shumë ujë – deklaroi Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Për shkak të mungesës së ujit me ditë të tëra, janë tharë të mbjellat në kopshte, ndërsa nëpër rrugët e lagjes gjithandej përhapet papastërtia./alsat-m

Loading...