Referendumi i 30 Shtatorit do të tregojë, nëse Maqedonia do të ndryshojë emrin e saj në Maqedonia e Veriut, si pjesë e marrëveshjes historike me Greqinë fqinje. Por pikëpyetje ka, Maqedonia ka nevojë për çdo lloj ndihme.

E shtuna është dita, kur kancelarja, Angela Merkel viziton Maqedoninë. Ministri i Jashtëm maqedonas, Nikola Dimitrov u shpreh për Deutsche Wellen se kjo vizitë “dërgon një sinjal të fuqishëm në një moment historik udhëkryqi – ne kemi shansin historik të ecim përpara drejt anëtarësimit të NATO-s dhe të hapim bisedimet e anëtarësimit”. Perspektiva euroatlantike e Maqedonisë u bllokua nga Greqia në samitin e Bukureshtit në vitin 2008, për shkak të çështjes së emrit. “Kjo është e rëndësishme për Maqedoninë, por edhe për Ballkanin si pjesë e Europës”, shton Dimitrov.

Dita e vizitës së Merkelit u zgjodh me kujdes, si dita e festimeve të Ditës së Pavarësisë, më 8 shtator. Asnjëherë më parë një kancelar gjerman nuk e ka vizituar Maqedoninë, përveç një qëndrimi të shkurtër të kancelarit Gerhard Schröder gjatë luftës së Kosovës në vitin 1999.” Diplomati gjerman, Christian Hellbach është shprehur se “vizita e kancelares duket qartë në mbështetje të zgjidhjes së çështjes së emrit. Dhe ne besojmë se ky është një moment i diplomacisë së mirë, sepse nuk i kemi të shpeshta momente të tilla në botë apo rajon.”

Por mbështetja nuk do të mbetet me kaq. Një javë më vonë e viziton Shkupin, minstsri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, dhe më 19 e 20 Shtator do të qëndrojë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen.

Ish-ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Gudrun Steinacker mendon, se kancelarja Merkel sjell një mesazh të qartë për referendumin. “Merkel me gjasë dëshiron t’i inkurajojë qytetarët e Maqedonisë për të vendosur mbi kompromisin që arritën Zaevi dhe Tsipras”, thotë njohësja e Ballkanit.

Interesi i Gjermanisë për sigurinë
Interesi i shtuar i politikanëve gjermanë mund të duket i papritur, por ai reflekton rritjen e vëmendjes së Berlinit për rajonin në kuadër të një rritjeje të influencës kineze dhe ruse në Ballkanin Perëndimor. Me Bosnje-Hercegovinën dhe konfliktet e vazhdueshme etnike, me alarmin që shkaktojnë idetë për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë- duket se Maqedonia ka shansin të prezantohet si mundësia për një histori suksesi në rajonin e brishtë. “Ne jemi të gëzuar që shohim, se Maqedonia po bën përpara, sepse është në interesin tonë, interesin tonë ekonomik. Kemi edhe interesin e sigurisë për vendin tuaj që t’i bashkohet BE dhe NATO-s.”

Një dështim i referendumit do të mund të godiste forcat reformiste në Shkup dhe ndoshta mund të hapë hendeqe të rinj me shumicës maqedonase dhe komunitetit të madh shqiptar në vend. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka bërë të ditur, se do të largohet nga posti, në rast se referendumi nuk e miraton marrëveshjen për emrin me Greqinë. Ministri i Jashtëm Dimitrov vëren se “kancelarja nuk do të vinte, nëse do të bëhej fjalë për politikanët apo partitë. “Vizita zhvillohet, sepse referendumi është për të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë”./dw/

Loading...