Instituti i Vjenës për Studimet Ekonomike Ndërkombëtare, thekson se, projektet e partneritetit publik privat duhet të jenë transparente dhe të monitorohen mirë për të shmangur ngritjen e borxhit publik. Në vitin 2019, instituti llogarit se rriten 50% pagesat për koncesionet

Erjon Dervishi

Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare thotë se, pret që ekonomia e Shqipërisë të rritet me një mesatare prej 4 për qind në vit gjatë dy viteve të ardhshme, por paralajmëron për rreziqet që partneritetet publik-privat, mund të fryjnë borxhin publik për vendin. Në parashikimin e saj të fundit, të vjeshtës, Instituti Ndërkombëtar i Vjenës, një nga qendrat më të mëdha për kërkime në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore, përmirësoi perspektivën e rritjes së Shqipërisë për vitin 2018, në 4.1 për qind, por la të pandryshuar parashikimin e vitit 2019 dhe 2020, në 4 për qind për ekonominë e brendshme të vendit. Ndryshime do ketë edhe ekonomia e jashtme, që mund të përballet me kërkesa dhe çmime më të larta të mallrave, duke i dhënë një nxitje industrisë së naftës në vend. Në studim theksohet se: “Parashikimet tona janë kryesisht të pandryshuara nga pranvera dhe ne vazhdojmë të presim që ekonomia shqiptare të mbetet e njëjtë dhe të rritet mbi 4 për qind në periudhën afatmesme. Kërkesa e brendshme dhe e jashtme do të mbështesë rritjen. Por që kjo rritje duhet të jetë e menaxhueshme dhe të ketë në qendër të vëmendjes gjendjen sociale të personave në nevojë. Çmimet më të larta ndërkombëtare të naftës duhet të nënkuptojnë investime dhe eksport më të lartë në këtë sektor”, thotë Instituti i Vjenës.

Partneriteti Publik-Privat

Qendra kërkimore sugjeron që partneriteti publik-privat i qeverisë shqiptare, duhet të jetë transparent dhe i monitoruar mirë, për të vazhduar agjendën e reduktimit të borxhit publik. “Projektet e partneritetit publik-privat duhet të jenë transparente dhe të monitorohen mirë për të shmangur ngritjen e borxhit publik. Përparimi i prekshëm i reformës së sistemit gjyqësor është kritik për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, thotë Instituti i Vjenës. Paralajmërimi vjen pasi institucionet financiare ndërkombëtare si, FMN dhe Banka Botërore, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare të heqë dorë nga “propozimet e pakërkuara” si një procedurë që i vendos ofruesit e investimeve në pozitë të pabarabartë, si dhe çon në një model PPP të diskutueshëm, pa ndonjë analizë të plotë kosto-përfitim, e cila mund të krijojë borxhe të reja që minojnë reduktimin e borxhit publik. Qeveria shqiptare po zbaton një program prej 1 miliardë eurosh, për të përmirësuar infrastrukturën e rrugëve, shëndetësisë, arsimit dhe menaxhimit të mbeturinave, përmes mbështetjes së taksapaguesve në këmbim të investimeve dhe menaxhimit privat. Mbështetja e tatimpaguesve për 11 kontratat e PPP pritet të rritet me rreth 50 për qind në 100 milionë euro për vitin 2019, duke rritur në shpenzimet e PPP-së në rreth 3 për qind të të ardhurave fiskale të vitit të kaluar, në krahasim me pragun prej 5 për qind që ka vendosur qeveria. Borxhi publik i Shqipërisë është tashmë në rreth 70 për qind e PBB-së, një nivel i lartë për fazën e zhvillimit të vendit që rrezikon stabilitetin makro-ekonomik dhe investimet e nevojshme publike, për shkak të kostove të larta të shërbimit të borxhit.

Loading...