Vllasi paralajmëron luftë nëse flitet për kufijtë mes Kosovës e Serbisë

Nuk shoh se dialogu në mes të Kosovës dhe Beogradit që do të përfundojë shpejt”, ka thënë Azem Vllasi për televizionin serb TV Prva, dhe e hedh poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës, sepse atëherë do të paraqiten problemet edhe më të mëdha.

Avokati dhe ish-funksionari në RSFJ si dhe këshilltari i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi konsideron se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të përfundojë shpejt sepse pozicionet e të dyja palëve janë shumë larg.

“Nga njëra anë kryetari i Serbisë vazhdimisht po përsërit se marrëveshja është e mundur nëse arrihet ndonjë kompromis, por nuk tregon çfarë kompromisi. Ai e përsërit tezën se nuk mundet dikush të fitojë gjithçka, ndërsa dikush asgjë. Nuk thotë se çfarë dhe kush prej kujt duhet të fitojë dhe nëse Serbia mendon të fitojë diçka atëherë çfarë është ajo që Kosova i ka borxh Serbisë”, konstaton Vllasi.

Në pyetjen se a do të thotë se ai e përjashton idenë për ndarjen e Kosovë, Vllasi thotë se mundësia e ndarjes së Kosovës është plotësisht e përjashtuar edhe atë për shumë arsye. “Si e para, këtë nuk do të lejojë faktori ndërkombëtar i cili e ka menaxhuar pavarësinë e Kosovës e as Brukseli, i cili tani po e udhëheqë normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë. As ata nuk duan të dëgjojnë se po bisedohet për ndryshimin e kufijve. Por edhe sikur të bisedohej për këtë, këtu nuk do të kishin pasur leverdi as Kosova as Serbia sepse do të hynin në një punë qorre”, thotë Vllasi.

“Çfarë do të thotë ndarja? Kur fillojmë të bisedojmë për kufij pëlcet problemi. Për cilën pjesë të Kosovës mendon Serbia pasi në të gjitha pjesët e Kosovës ka serbë”, shton ai.

Gjithashtu, duke u përgjigjur në pyetje se a ka lëshuar pak pe Prishtina në kohën e fundit në qëndrimet e veta, Vllasi thotë se vetëm po krijohet përshtypja për këtë. “Realiteti është ndryshe, sepse në Kosovë nuk ka politikan i cili do të bisedonte për ndryshimin e statusit të Kosovës, gjegjësisht për atë që Kosova mos të jetë shtet dhe se duhet të pyetet Serbia se a do të jetë Kosova shtet apo jo. Pra, për këtë çështje ajo nuk ka bashkëbisedues, dhe unë do të kisha ditur shumë mirë sikur të kishte pasur”, përfundon Vllasi.

 

Loading...