Një konflikt pronësie mes dy vëllezërve ka bërë që njeri të hakmerret kundër tjetrit me tritol. Policia e Vlorës ka shpallur sot në kërkim Tahir Mustafaraj, një 59-vjeçar që dyshohet se është personi që ka hedhur në erë me tritol makinën e vëllait të tij, Sazanit, mesnatën që shkoi në lagjen “15 Tetori”, në vendin e quajtur Karabash”.

Sipas burimeve policore, në momentin e shpërthimit të eksplozivit i cili dyshohet të ketë qenë tritol, mjeti ka qenë i parkuar në anë të rrugës.  Mësohet se tritoli ishte vendosur në pjesën e përparme të makinës me targa “AA 604 LZ” dhe ka shkaktuar panik.

NJOFTIMI POLICISE

Më datë 24.10.2015, rreth orës 23:35, ka shpërthyer një automjet, pranë Fabrikës së Ish-Qumështit!

Shërbimet e Policisë janë afruar në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se në lagjen “15-Tetori”, në vendin e quajtur “Karabashi”, një automjet tip “Kamionçinë-Ford” me targë: AA604LZ, në pronësi të shtetasit: S. Mustafaraj, 55 vjeç, ka shpërthyer me lëndë plasëse, ku për pasojë është dëmtuar pjesërisht.

S. M. e kishte parkuar automjetin në rrugën kryesore të kësaj lagjeje pranë shtëpisë së tij. Policia, në sajë të hetimeve intensive ka shpallur në kërkim vëllain e tij, shtetasin: Tahir Mustafaraj, 59 vjeç.

Sipas hetimeve të kryera, dyshohet se Tahir Mustafaraj, të jetë autori kryesor në lidhje me ngjarjen pasi vëllezërit kanë patur konflikte të vazhdueshme për çështje pronësie, konkretisht në lidhje me pronësinë e një banese të trashëguar nga babai i tyre.

Dyshimi bazohet në deklaraten e të dëmtuarit: S. Mustafaraj, i cili ka qenë i pajisur me Urdhër Mbrojteje pasi ndihej i kërcënuar në mënyrë të përsëritur nga vëllai i tij.

Loading...